Dueli në Lezhë, Kanarsa: T’i kthejmë reston Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2022 | 12:25

Dueli në Lezhë, Kanarsa: T’i kthejmë reston Besëlidhjes

Apolonia luan një transfertë delikate sot. Shkon në Lezhë, atje ku e pret Besëlidhja që nuk do që të bjerë më në zonën e rrezikut. E megjithatë, fierakët nuk duan të lëshojnë pe dhe udhëtojnë me ide të qarta për të blinduar vendin e 4-t. Këtë e thotë qartazi për “Panorama Sport” edhe trajneri italian Juri Kanarsa.

Juriy KANARSA

“I kemi dhënë rëndësinë e duhur kësaj sfide. E vlerësojmë kundërshtarin, që në fazën e parë na mundi në shtëpi me rezultatin e thellë 0- 3. Jemi dyfish të karikuar këtë herë, pasi nuk mund të lëmë më pikë rrugës.

Nëse duam ta mbyllim sezonin si duhet, atëherë ne duhet të fitojmë edhe jashtë fushe.

Është radha jonë të kalojmë Besëlidhjen. Besoj shumë te rezultati pozitiv, sepse këta djem gëzojnë një formë të mirë dhe ky është momenti ynë. Nuk mund të humbasim terren, ndaj jemi të destinuar të mos lëshojmë terren në renditje.

Apolonia që në fillim të kampionatit e ka pretenduar elitën, paçka se faza e parë nuk ka qenë e lehtë për ne. Nuk e mohoj dot që ne kemi bërë ndeshje jo të mira, çka na ka kushtuar jo pak në grumbullimin e përgjithshëm të pikëve.

Kur erdha këtu, gjeta një grup lojtarësh të rinj, të cilët kishin nevojë për kohë për të kuptuar lojën time, por tani jemi ku duhet. Një rol kyç në rritjen e lojës sonë kanë pasur edhe afrimet e janarit.

Shpirti luftarak i këtyre djemve na ka ngritur në tabelë. Shoh edhe një ekip që e ka kaluar ngërçin e mëparshëm të transfertave dhe janë zhbllokuar tej mase në aspektin psikologjik.

Po luajmë më të qetë dhe më me vetëbesim ndaj çdo kundërshtari. Di të them se Apolonia do jetë sulmuese në këtë ndeshje, sepse objektivi i vetëm është fitorja dhe këta djem munden të marrin një rezultat pozitiv në Lezhë”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"