Dueli ndaj Bylisit, mesfushori i Besës: Pasi “ndalëm” Maliqin e Butrintin, do të vuajmë me ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 14:58

Dueli ndaj Bylisit, mesfushori i Besës: Pasi “ndalëm” Maliqin e Butrintin, do të vuajmë me ballshiotët

Besa ka futur veten në një siklet që as nuk e kishte menduar. Kur jemi 90 minuta nga fundi, rrezikon edhe mbijetesën. Kjo, jo se ka toleruar apo falur ndeshje, por ka bërë të kundërtën.

hyseni

Ka nënvlerësuar kundërshtarë të cilët e kanë çuar në këtë derexhe. E kemi thënë e stërthënë se dy ndeshjet që futën kavajasit në këtë “greminë” janë ato me Maliqin dhe Butrintin. Si kurrë në historinë e tyre, verdhezinjtë mund të luajnë ndeshje shtesë. Që të shpëtojnë, kanë vetëm një rrugë: të kalojnë Bylisin.

Edhe pse duhet ta luanin në Luz, kanë vendosur që ta spostojnë në Ballsh. Për mesfushorin Erald Hyseni, kjo ndeshje do të jetë një torturë e vërtetë psikologjike. Nëse ballshiotët luajnë thjesht për të pritur fundin e ndeshjes e marrë kupën e kampionit të Kategorisë së Parë, Besa është me këmbët e sytë në fushë dhe mendjen te… rivalët.

“Të kërkosh të vuash e sakrifikosh ndaj Bylisit kryesues, kur ke ‘falur’ Maliqin e Butrintin e rënë tashmë, është vërtet vetëvrasje. Por ja që e bëmë dhe i gjithë faji mbetet te ne. Do të jetë një sfidë mjaft delikate ajo që na pret. Bylisi është një ekip me lojtarë në formë dhe ka ekip shumë më të investuar se ne.

I vetmi fakt që është në anën tonë, ka të bëjë me motivimin në sfidë. Sado të përpiqen ballshiotët, ata nuk do të kenë sakrificën dhe shpirtin tonë të garës në këtë përballje.

Ndaj duhet ta shfrytëzojmë këtë avantazh, por me kujdesin maksimal për të mos u ndëshkuar. Kur një ekip si Bylisi luan lirshëm, pa asnjë lloj presioni nganjëherë loja të del më mirë. Nuk dua ta zgjas, vetëm se besoj që Besa nuk do të shkojë në ndeshjen shtesë të ‘play out’-it.

Rivalët tanë si Turbina ashtu dhe Pogradeci luajnë në transferta të vështira në Sarandë e Berat. Nëse Butrinti do të luajë për moral, Tomori luan fatin e ‘play off’-it dhe besoj se beratasit do të fitojnë. Nëse vendësit luajnë ‘fair play’, atëherë gjithçka zgjidhet. Uroj të ndodhë kështu”, përfundon Hyseni për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"