Dueli me Skënderbeun, Vanoli shpreson te mrekullia: Dinamo do të tentojë deri në fund për mbijetesën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2022 | 9:57

Dueli me Skënderbeun, Vanoli shpreson te mrekullia: Dinamo do të tentojë deri në fund për mbijetesën!

Dinamo pret sot Skënderbeun në orën 16:45 në stadiumin e Kamzës dhe nëse nuk merr tri pikë, i thotë lamtumirë edhe matematikisht Superiores.

VANOLI

Fitorja për blutë mungon pikërisht që nga ndeshja me Skënderbeun në Korçë, kur në stol ishte ende Bledar Devolli. Skuadrës i rikthehet pas pezullimit për kartonë maqedonasi Goran Siljanovski, i cili pritet të jetë titullar në mesfushë.

Trajneri Rodolfo Vanoli, i cili mori pikën e parë në krye të Dinamos në barazimin 0-0 ndaj Vllaznisë, sot shpreson shumë që të marrë fitoren për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në tri javët e fundit të kampionatit.

Në prononcimin për “Panorama Sport”, italiani ka theksuar se Dinamo do të tentojë deri në fund qëndrimin.

“Janë edhe katër ndeshje, pra edhe 12 pikë në lojë, kështu që ne do të tentojmë të marrim maksimumin deri në fund. Të shohim, nëse mund të shpëtojmë, edhe pse është shumë e vështirë të realizohet ky objektiv.

Por, ne do ta provojmë. Para ndeshjes me Skënderbeun e kemi të plotë kontigjentin dhe do të zbresim në fushë me formacionin më të mirë, me një ekip që e di çfarë duhet të bëjë. Luajmë vetëm për fitore në këtë ndeshje”, ka thënë fillimisht Vanoli, i cili bëri edhe një urim për Tiranën, që u zyrtarizua kampione të shtunën.

Gjatë javëve të fundit blutë kanë humbur disa shanse për të shkurtuar diferencën e pikëve me rivalët. Stafi teknik dhe drejtuesit e kanë të qartë se shanset e qëndrimit janë minimale, ndaj dhe kanë nisur të mendojnë që tani për sezonin tjetër.

Megjithatë, trajneri Vanoli kërkon të shfrytëzojë edhe atë mundësi të vetme që mund të jetë. Dinamo në shumicën e ndeshjeve është penalizuar nga gabimet individuale. Për këtë pjesë, trajneri thotë:

“Pjesa e vështirë për mua si trajner është se nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Duhet të them se skuadra më pëlqen, e ka rritur nivelin e saj në lojë, por e përsëris që na kanë dëmtuar gabimet individuale”.

E ARDHMJA – Për çështjen e së ardhmes së tij, trajneri italian ka përsëritur qëndrimin se dëshiron ta vazhdojë projektin me blutë. “Në përgjithësi, eksperienca ime në Shqipëri është pozitive.

Te Dinamoja kam ardhur për një projekt afatgjatë, pasi kam një kontratë për 3 vite. Nuk kam ardhur vetëm për disa muaj.

Dinamo kthehej në Superiore pas 10 vitesh dhe presidenti më kërkoi që të sjell filozofinë time dhe të tij. E dinim shumë mirë që kishte vështirësi, por e pranova këtë projekt, sepse Dinamo meriton diçka shumë të rëndësishme”, përfundoi Vanoli.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"