Dueli me Skënderbeun, Sormani u bën zbor sulmuesve para portës. Ja përgatitjet në kampin e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 10:47

Dueli me Skënderbeun, Sormani u bën zbor sulmuesve para portës. Ja përgatitjet në kampin e kuq

Partizani e ka lënë pas minifazën përgatitore në Turqi, ku u stërvitën në kushte optimale dhe gjatë paradites së djeshme skuadra ka zbritur në kompleksin “Internacional” në Pezë për të përmbyllur planet për transfertën e Korçës. Nesër Partizani është mysafir i Skënderbeut, ku do të vijë edhe debutimi i trajnerit Adolfo Sormani në ndeshje zyrtare për këtë sezon. 54-vjeçari ka mbetur i kënaqur nga angazhimi i lojtarëve në Turqi, ndonëse e pranon se për aq sa kanë punuar bashkë, lojtarët nuk mund të përthithin menjëherë filozofinë e tij që ka për futbollin.

Sormani Partizani

Gjithsesi, Sormani po mundohet të marrë më të mirën nga grupi në këtë moment dhe seanca e djeshme ka qenë kryesisht e karakterit tekniko-taktik. Shënimi i golit mbetet një rebus për t’u zgjidhur në kampin e kuq, aq më shumë që kritikat mbi sulmin kanë qenë të shumta, për atë që ka dhënë në pjesën e parë të sezonit. Nga ajo që u pa dje, trajneri Sormani ka insistuar kryesisht në goditjet standarde, nga këndi apo pozicione të ndryshme në fushë, nga të cilat pritet të vijë edhe goli ndaj Skënderbeut.

Dy miqësoret e zhvilluara në Turqi e nxorën në pah deficitin që ka skuadra në 20-30 metrat e fundit në fazën ofensive. Në këto kushte mundësia më e mirë për të shfrytëzuar është efikasitetin në ekzekutimin e goditjeve standarde. Përveç planit të punës që ka pasur me grupin, stafi teknik vendosi të punojë më gjatë me sulmuesit.

Partizani goli

Në kohën që pjesa dërrmuese e lojtarëve iu drejtua dhomave të zhveshjes, trajneri Sormani ka mbajtur në fushë sulmuesit, duke i “ngujuar” ata para portës. Për të zhbllokuar repartin sulmues, si dhe për kalibruar shënjestrën para Skënderbeut, trajneri Sormani ka punuar më gjatë me lojtarët sulmues që ka në ekip, Çinari, Bardhi, Braun, Solomon dhe Ekuban.

Në kohën që shokët e skuadrës ndodheshin në dhomën e zhveshjes, mbi sulmuesit vijonte ngarkesa stërvitore, ku trajneri i instruktoi ata para portës me kombinime, aksione dhe me gjuajtje në portë. Në janar pritej që Partizani të forconte sulmin, por ka ndodhur vetëm largimi i Jasir Asanit, që e dobëson edhe më shumë fazën ofensive.

FORMACIONI – Trajneri Sormani nuk e ka të plotë grupin për sfidën me Skënderbeun, pasi dihen dy mungesa të konfirmuara, Ulliam Melo dhe Deian Boldor, që janë të pezulluar nga Disiplina edhe për 4 ndeshje në vijim.

Trajneri dje ka punuar më shumë me skemat, pasi formacionin e mundshëm për transfertën e Korçës e ka provuar në seancat e fundit në Antalia. Me shumë mundësi, nesër pritet që Partizani të zbresë në fushë me formacionin që nisi miqësoren e 15 janarit me Budapest Honvedin, ku në fund të kuqtë u mundën 2-0. Nuk përjashtohet ndonjë ndryshim i mundshëm, gjithsesi sytë mbeten nga zhbllokimi i sulmit

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"