Dueli me Apoloninë, Nevil Dede i prerë: Luajmë për trepikëshin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2022 | 10:24

Dueli me Apoloninë, Nevil Dede i prerë: Luajmë për trepikëshin!

Erzeni ka zhvilluar dje paradite seancën e fundit stërvitore dhe është gati që të presë Apoloninë. Luajnë në “Tofik Jashari” dhe prania e tifozëve shihet si “bonus”.

NEVIL DEDE

Shijakasit kanë vetëm një mision, ngjitjen në elitë dhe për ta realizuar nuk kanë në plan që t’i lejojnë vetes gabime.

Nevil Dede llogarit fitoren përballë fierakëve, e megjithatë nuk ngurron që ta vlerësojë si kundër. Për “Panorama Sport” trajneri u shpreh:

“Kemi shfrytëzuar në maksimum pushimin mes fazave dhe jemi gati për të rifilluar kampionatin. Jam shumë i kënaqur nga mobilizimi i futbollistëve, që kanë sfiduar ngarkesat dhe kushtet e vështira atmosferike.

E nisim vitin me Apoloninë, kundërshtar që meriton vlerësim. E megjithatë, misioni ynë është i qartë: duhet të fitojmë. Objektiv kemi ngjitjen në elitë dhe kjo na imponon që të mos lëmë pikë përballë fierakëve dhe sidomos kur dihet që luajmë në shtëpi dhe përballë tifozëve tanë.

Duhet t’ia dalim për ta dhe të ruajmë ritmin e fazës së parë. Nesër (sot) ndoshta do të aktivizojmë edhe futbollistët e afruar gjatë merkatos së dimrit, si Prengën, Nurin dhe Çyrbjen.

Skuadra do të ketë një ‘frymë’ të re dhe cilësore me ta. Kam bindjen se do të jetë edhe më e fortë në 2022-shin”.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"