Dueli Inter-Roma/ E shtuna me aromë angleze, në fushë zbresin 1552 ndeshje të Premier Ligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 21:16

Dueli Inter-Roma/ E shtuna me aromë angleze, në fushë zbresin 1552 ndeshje të Premier Ligës

Inter-Roma që do të zhvillohet pasditen e së shtunës do të ketë brenda saj një sërë duelesh, nga përballjet me të shkuarën të Murinjos, Xhekos e Mikhitarianit deri te sfida e Dibalës ndaj klubit që e braktisi në merkaton e verës. Një tjetër e veçantë e 90 minutave të “San Siro”-s pritet të jetë aroma angleze që do të ndihet.

0_GettyImages-630546700

Premier Liga do të ketë ndikimin e saj në këtë sfidë, pasi duke u hedhur një sy të dyja organikave, mund të numërohen 1552 prezenca në total nga 8 lojtarët e të dyja kampeve (duke përjashtuar Vajnaldumin e dëmtuar). Përveç lojtarëve mund të flasim edhe për eksperiencën britanike të Murinjos me Çelsin, Mançester Junajtidin e Totenhemin, që gjithsesi të shtunën do të jetë në tribunë i skualifikuar.

LOJTARËT – Nëse duhet ta nisim nga dikush, lojtari me më shumë paraqitje në ishull është Romelu Lukaku, me 278 të tilla mes Uest Bromuiç, Everton, Çelsi dhe Mançester Junajtid, i ndjekur nga Nemanja Matiç që këtë verë e la Premier Ligën pas 251 ndeshjesh të luajtura me Çelsin e Mançester Junajtidin. Treshen e lojtarëve me më shumë se 200 ndeshje në Angli e plotëson Smolling që me fanellat e Fulhamit e Junajtidit ka arritur në 219.

Në distancë është sulmuesi zikaltër që më parë ka mbrojtur edhe ngjyrat e Romës, Xheko te verdhekuqtë mbërriti pikërisht nga Mançester Siti me të cilin luajti 130 ndeshje në 5 sezone. 112 ndeshjet e Rui Patrisios me Uolvesin, 78 ndeshjet e Mikhitarianit me Arsenalin e Junajtidin apo 60 herët që Darmian ka zbritur në fushë me fanellën e “Djajve të Kuq”, do të jenë një eksperiencë e tërë angleze në fushë, të cilat do t’i shtohen asaj të Tami Abrahamit.

89 ndeshjet e sulmuesit të Romës me Çelsin ku është formuar si lojtar, kanë mjaftuar që verdhekuqtë t’i besojnë 24-vjeçarit peshën kryesore të sulmit të tyre. Në fakt, Abraham, ashtu si Lukaku dhe Xheko, është ndër ata që e kanë zgjedhur kampionatin italian duke qenë në pikun e karrierës së tyre dhe jo më kot të tre sulmuesit priten të mbajnë peshën e reparteve respektive edhe më 1 tetor.

MURINJO – Një tjetër “anglez” është edhe Zhoze që sot njeh më së miri jo vetëm lojtarët që stërvit te Roma, por edhe një pjesë të atyre të Interit që kanë qenë nën urdhrat e tij te Mançester Junajtidi.

Verdhekuqtë Smolling e Matiç e kanë hasur trajnerin edhe brenda dhomave të zhveshjes së “Djajve të Kuq”, ashtu si zikaltrit Lukaku e Darmian, ndërkohë që Henrik Mikhitarian është jo vetëm një “ish” i Mançester Junajtidit e Murinjos, por edhe i Romës. Të shtunën ama të gjithë do të përpiqen të shfrytëzojnë më së miri njohjet dhe pikat e dobëta të gjithsecilit, pa lënë mënjanë gjithë eksperiencën angleze, për të fituar ndeshjen që do t’i rikthejë të dyja skuadrat te tri pikët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"