Dueli i sotëm ndaj shkodranëve, Troisi: Vllazninë duam ta mundim, edhe Kupa është prioritet i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 10:30

Dueli i sotëm ndaj shkodranëve, Troisi: Vllazninë duam ta mundim, edhe Kupa është prioritet i Flamurtarit

Flamurtari do të tentojë sot një rezultat pozitiv në shtëpi përballë Vllaznisë, për të ecur sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Marcelo Troisi tha se do të respektojnë shkodranët për atë çfarë përfaqësojnë, por paralajmëroi se Flamurtari ka objektivat e vet dhe e shikon me prioritet edhe Kupën e Shqipërisë. Trajneri brazilian shton se skuadra që drejton është e angazhuar për të bërë më të mirën edhe në këtë kompeticion.

TROISI

“Normalisht që ndeshja me Vllazninë në kuadër të Kupës së Shqipërisë do të jetë një takim shumë i rëndësishëm për ne. Luajmë kundër një ekipi elitar dhe me traditë në futbollin shqiptar. Për atë që përfaqëson kundërshtari, do ta respektojmë. Skuadra është përgatitur për të bërë më të mirën në këtë ndeshje.

Ne do të bëjmë lojën tonë dhe jemi të angazhuar maksimalisht që të bëjmë një ndeshje të mirë. Kemi një skuadër, që i di mirë detyrat. Patjetër që jemi këtu për të luftuar në dy fronte.

Do të punojmë për arritjen e objektivit në kampionat dhe fitorja na ka kthyer qetësinë. Por tani do të respektojmë edhe kompeticionin e Kupës së Shqipërisë.

Do ta shikojmë me seriozitet këtë ndeshje. E luajmë në shtëpi dhe do të kemi si mbështetje edhe tifozët. Ndaj jemi dyfish të motivuar për të dhënë maksimumin e për ta parë me prioritet edhe Kupën. Kemi punuar shumë këtë javë për këtë ndeshje dhe jemi gati për të bërë lojën tonë në fushë”, shprehet Troisi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"