Dueli Besëlidhja-Pogradeci/ Bruka, “SMS” ekipit: Puna matet me pikë; Liçkollari: Ia dalim për … trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 14:00

Dueli Besëlidhja-Pogradeci/ Bruka, “SMS” ekipit: Puna matet me pikë; Liçkollari: Ia dalim për … trajnerin

Besëlidhja kërkon kthesën e madhe dhe shansin e kanë sot, kur do të presin Pogradecin. Asnjë pikë në 180 minuta, janë shqetësuese për lezhjanët. Alban Bruka e pranon që kanë gabuar në start, megjithatë paralajmëron se kanë rikuperuar. Për “Panorama Sport”, trajneri thotë:

Alban Bruka

“Ky fillim kampionati shkoi jashtë gjithë pritshmërive. Po punojmë fort aty ku gabuam, për të riparuar defektet. Kemi analizuar dy takimet e para dhe tani po mendojmë vetëm për të ardhmen. Nesër (sot) do të luajmë ndaj Pogradecit, takim që do të zhvillohet këtu në Lezhë. Gjatë ditëve stërvitore që kishim në dispozicion, punuam për ta karikuar ekipin maksimalisht nga të gjitha pikëpamjet. E kemi ngushtuar shumë rrethin e gabimeve ndaj vetes.

Nuk na lejohen hapa falsë nëse duam të arrijmë objektivin tonë, Superioren. Futbollistët e kanë të qartë se vetëm me rezultate matet puna e tyre e jo me orë pune, ndaj të mendohen mirë kur të zbresin në arenën e blertë. Formacionin e ndërtojnë vetë futbollistët me performancën e tyre. Ne stafi teknik e menaxhojmë atë, ndaj e kanë vetë në dorë aktivizimin në sfidat zyrtare. Pogradecin e vlerësojmë dhe do ta respektojmë maksimalisht, pasi është një ekip që luan futboll dhe ka objektivat e tij të qartë”. PRENG GJIKOLA

Pogradeci do të luajë në Lezhë sot, atje ku i pret Besëlidhja e etur për pikë. Edhe vetë liqenorët nuk janë më mirë, pasi në 180 minuta kanë vetëm një barazim. Dhe kjo situatë paralajmëron një duel më shumë se të luftuar. Jurgers Liçkollari pret një ndeshje të hapur, fitorja do të shkojë për atë ekip që do të dijë të shfrytëzojë më mirë rastet për shënim.

Lickollari

“Unë nuk mendoj se do të fitojë ai ekip që do të gabojë më pak. Për mua do të fitojë ai ekip që do të shfrytëzojë rastet për shënim. Them kështu, pasi parashikohet të jetë një ndeshje shumë e hapur, e luftuar dhe me mundësi shënimi. Së pari, po e nis nga vetja. Unë kam kaluar dëmtimin sikurse edhe Alillari dhe besoj se do të jemi njësh me këtë grup, që ka rritje në lojë”, tha fillimisht për gazetën mesfushori. Liqenorëve u mungon trajneri Ardian Abazaj, e megjithatë ai do të drejtojë nga tribuna. “Mungesa e trajnerit ka ndikimin e vet, por Abazaj na e ka injektuar grintën e tij me kërkesat gjatë stërvitjeve. Ne jo më kot themi se jemi grup dhe kjo do të duket nesër (sot)”, përfundoi Liçkollari. ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"