Duel surprizash në Ligën e Europës, “gjahtari” Kutrone sfidon Uellbekun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 10:32

Duel surprizash në Ligën e Europës, “gjahtari” Kutrone sfidon Uellbekun

Në Angli tashmë është një tallje që zgjat prej vitesh, ndaj futbolldashësit në “oborrin” e mbretëreshës Elizabetë i dëgjon shpesh të thonë: “Po të pi një gllënjkë alkool, sa herë rrëzohet Deni Uellbek, dehem brenda pjesës së parë” ose “Uellbek është si Arsenali, ndonjëherë bën gjëra të jashtëzakonshme, e më pas e sheh të bjerë me fytyrë në fushë.”

Milan-Arsenal

Gjithçka lidhet me rrëzimet e shpeshta të Deni Uellbek, i cili sot ndaj Milanit do të mbajë mbi shpatulla peshën e sulmit të Arsenalit. Me Lakazet të dëmtuar dhe Obamejang të papërdorshëm në Ligën e Europës, është sulmuesi anglez, rivali i Kutrones, për kurorën e bomberit në “San Siro”

DUELI – Sfida KutroneUellbek deri pak muaj më parë ishte përtej çdo imagjinate. Nëse sulmuesi kuqezi duhet të parakalonte Kaliniçin dhe Andre Silvën, edhe për anglezin nuk ishte e lehtë të gjente një vend titullar përpara Sançezit, Zhirusë dhe Uolkotit. Uellbek, në moshën e Kutrones, konsiderohej një talent por ndryshe nga italiani kishte debutuar dhe shënuar 8 gola që në moshën 17-vjeçare në kompeticionet, si kampionati dhe kupat angleze, me fanellën e Sandërlendit.

Kutrone dhe Uellbek

Nëse sot është një premtim i pambajtur, një pjesë të fajit e kanë dëmtimet që e kanë persekutuar në dekadën e fundit. Kutrone, nga ana e tij, nuk është një sprinter i madh, por sensin e golit dhe shpirtin e sakrificës i ka në nivele të një profesionisti me përvojë.

Uellbek nuk ka cilësi si të bomberit kuqezi, por atletizmi i shfaqur në adoleshencë i mori zemrën Aleks Fergusonit, që e mori te Mançester Junajtid dhe Fabio Kapelo që e grumbulloi në kombëtare.

SHIFËR E DYFISHTË – Patrik Kutrone, ka vetëm pak ndeshje mbi shpatulla si titullar, por sipas specialistëve të sektorit duket se mundësitë për t’u rritur janë ende të larta. Në kampionat 20-vjeçari ka shënuar gjashtë herë dhe rrezikon të kapë 10 golat, kuotë kjo e paprekur kurrë më parë nga Uellbek. Shpresa është që Kutrone të mos ketë fatin e Uellbek, i cili u dëmtua në 2015 e u rikthye një vit më pas.

Në maj të 2016 u dëmtua sërish dhe u rikthye pas një viti. Sulmuesi kuqezi është jo vetëm një premtim, por edhe një garanci, çka bën që sot në mbrëmje të jetë ai favoriti për të vendosur fatin e takimit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"