Duel prestigji me Luftëtarin/ Pas 800 ditësh në shtëpi, AF Elbasani e do festë të dielën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 14:28

Duel prestigji me Luftëtarin/ Pas 800 ditësh në shtëpi, AF Elbasani e do festë të dielën

“Elbasan Arena” nuk është më një “mollë e ndaluar” për ekipet e qytetit të Elbasanit.

AF ELBASANI 3Lojtarët e AF Elbasanit duke festuar një gol

Pas plot 800 ditësh, një klub i qytetit do të ketë mundësinë të luajë përpara publikut të vet. AF Elbasani do të presë të dielën AF Luftëtarin e Gjirokastrës në shtëpi, në ndeshjen e parë të sezonit në Kategorinë e Dytë.

Për herë të fundit kur një ekip i Elbasanit luajti në shtëpinë e vet ishte 25 korriku i vitit 2020, kur KF Elbasani mundi Devollin me rezultatin 3-1.

Që nga ajo kohë, për më shumë se dy vite, verdheblutë tanimë të “shkrirë”, nuk luajtën dot në stadiumin e qytetit të tyre.

Mirëpo, duket se kalvarit të vuajtjeve u ka ardhur fundi dhe për ekipin e ri të qytetit është hapur drita jeshile për t’i luajtur ndeshjet në këtë impiant.

Në një situatë të tillë, ka nisur edhe organizimi nga ana e tifozërisë për të ndjekur skuadrën nga shkallët e stadiumit dhe dhënë mbështetjen e tyre për të vetmen skuadër të qytetit aktualisht, e cila u krijua një vit më parë dhe vjen në këtë kategori me petkun e skuadrës kampione të Kategorisë së Tretë.

Synimi i verdhebluve të drejtuar nga Gentjan Stojku dhe me mbështetjen e bashkisë, është ngjitja me çdo kusht në Kategorinë e Parën, ndaj do të kërkojnë ta nisin me këmbën e mbarë edicionin.

MERKATO – Përpos lajmit të mirë që do të luajnë në stadium, te verdheblutë ka zhvillime pozitive edhe sa i përket merkatos.

Klubi ka arritur akordin me mesfushorin kavajas Alked Çelhaka.

Sezonin e fundit ai ishte pjesë e Flamurtarit të Vlorës, ndërsa më herët ka milituar në ekipet e Egnatias, Besës, Tiranës dhe Laçit.

Me një eksperiencë të madhe mbi supe, 28-vjeçari pritet të për forcojë ndjeshëm skuadrën e drejtuar Stojkut, i cili tanimë do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje në formacion.

Përpos Çelhakës, me verdhbelutë është afruar edhe sulmuesi Arsen Lleshi, i cili më herët ka milituar në radhët e KF Elbasanit.

Pranë marrëveshjes, elbasanasit janë edhe me sulmuesin tjetër, Albi Gjolena, i cili gjithashtu ka milituar në radhët e KF Elbasanit.

Ai ka dalë në stërvitje me ekipin dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet një marrëveshje midis palëve apo jo.

Me pak fjalë, AF Elbasani duket i “blinduar” në të gjitha repartet para startit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"