“Duel pa kosto, ndaj Dinamos do jetë spektakël”, ish-kapiteni Lako: Te Skënderbeu u investua më shumë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 22:55

“Duel pa kosto, ndaj Dinamos do jetë spektakël”, ish-kapiteni Lako: Te Skënderbeu u investua më shumë se vjet

Skënderbeu kërkon kthesën. Korçarët po përgatitin ndeshjen më të rëndësishme të këtij kampionati, që shorti e ka rezervuar që në javë të dytë.

lako

Të dielën, në orën 17:45, do të presin pikërisht Dinamon, një rival direkt për ngjitjen në elitë. E megjithatë, ky 90-minëtsh nuk shihet si përcaktuese për fatet e sezonit. I këtij mendimi është edhe Stavrion Lako, ishkapiteni i bardhekuqve. Në prag të kësaj përballjeje mes dy ekipeve me histori, prononcimin e tij për “Panorama Sport”, 41-vjeçari e nis duke analizuar merkaton e bërë.

 EKIPI – Ai evidenton se është një ekip i investuar, ku është miksuar më së miri talenti dhe eksperienca. “Është një eksperiencë tërësisht e re për Skënderbeun, pas kaq shumë vitesh mungese në këtë kategori. Përshtatja e klubit është paksa e vështirë në të tilla momente, pasi nuk është e lehtë të kthehesh nga aventurat historike në Europë te në Kategorinë e Parë.

Ndryshimet janë të mëdha. Kategoria e Parë është një sfidë më vete dhe një tjetër realitet i ndryshëm nga Superiorja. Klubi tashmë ka marrë përmasat të mirorganizuara dhe kjo më bën të mendoj se nuk do ta ketë aspak të vështirë ingranimin edhe në këtë ligë.

Duke parë ndërtimin e ekipit, mendoj se është një grup i plotë dhe një miksim perfekt mes cilësisë, talentit dhe eksperiencës. Dukshëm është një grup i investuar, ndoshta më shumë se Skënderbeu i një sezoni më parë. Pritshmëritë janë të mëdha, mjafton që ekipi të përshtatet mirë me Kategorinë e Parë dhe garën që bëhet në këtë kampionat”, theksoi fillimisht Lako.

Lako

SUPERSFIDA – I ndalur më pas te ballafaqimi mes dy pretendenteve kryesore për të kaluar direkt në Superiore, ishkapiteni saktëson se do ta ketë impaktin e vet. Por, jo deri në atë pikë që të ketë kosto. Ai mendon se është shumë herët dhe ka kohë të mjaftueshme për rikuperim për secilin ekip.

“Është ndoshta ndeshja më e fortë e sezonit dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Së bashku me Flamurtarin, këto tri ekipe janë pretendentet kryesore për kalimin në elitë. Më vjen mirë që shorti i ka rezervuar në javët e para këtë përballje, pasi do të jetë një nga ndeshjet më të bukura kam përshtypjen, duke qenë se do të ketë kosto minimale për secilin ekip. E them këtë pasi kaq herët nuk vendos asgjë, mund të ofrojë thjesht spektakël, sepse sido të jetë rezultati, ekipet do të kenë kohën e duhur të rikuperojnë në vazhdim”, përfundoi Stavrion Lako.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"