Duan të ndalin kryesuesit, Apolonia, me “mision” drejt Ballshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 11:39

Duan të ndalin kryesuesit, Apolonia, me “mision” drejt Ballshit

Apolonia kërkon surprizën. Asnjë ekip nuk i ka marrë qoftë edhe një pikë Bylisit në këto 8 javë dhe në Fier mendojnë që mund të jenë ata të parët që do t’ia dalin. Luajnë në transfertë dhe vështirësia dihet, por bardhejeshilët nuk i humbin shpresat. Nëse luajnë pa frikë dhe drojë, mund të marrin atë çka duan.

Apolonia

Fitorja do të ishte super, por edhe një barazim do t’u mjaftonte. Skuadra ka punuar me ritëm të lartë gjatë kësaj periudhe që gara u ndal prej Kombëtares. Nuk kanë bërë asnjë ditë pushim, pasi duan në “Adush Muça” të ndalin kryesuesit dhe mos largohen duarbosh.

Nëse realizohet misioni, veç pikëve që mund të shtohen në renditje, më së shumti do të rritej morali. Humbja me Lezhën është arkivuar dhe Juri Kanarsa është munduar të korrigjojë ato defekte që ka hasur. Tekniku italian ka kërkuar nga lojtarët më shumë agresivitet në sulm dhe vëmendje në mbrojtje.

Këto dy reparte kanë shfaqur probleme në këto tetë javë kampionat dhe këto ditë pushimi kanë shërbyer për të vënë në dukje gabimet dhe më pas ndreqjen e tyre. Pozicioni në renditje i Apolonisë i shtyn lojtarët për të luajtur gjithçka në Ballsh dhe synimi është të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë delikate.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"