“Duam titullin këtë vit”, flet Shkëmbi: Ja cili është meraku im për ndeshjen me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 9:07

“Duam titullin këtë vit”, flet Shkëmbi: Ja cili është meraku im për ndeshjen me Partizanin

Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës, ka shprehur optimizëm në konferencën e djeshme për shtyp para duelit të radhës me Partizanin. Ish-futbollisti i të kuqve, tani në krye të skuadrës durrsake, e di shumë mirë se Teutën e pret një takim i vështirë në transfertë, por thekson se janë përgatitur për ta përballuar kundërshtarin. Trajneri Shkëmbi nuk fshihet dhe e pranon se te Teuta e synojnë edhe titullin kampion. Ai konfirmon mungesat për sot dhe rëndësinë e tyre, ndërsa mungesën e tifozëve e vlerëson si një minus të madh, kryesisht për lojtarët.bledi shkembi

Do të përballeni me Partizanin, pikërisht në një moment kur dy ekipet vijnë nga sukseset në javën e fundit. Kjo kthesë që keni bërë, a ka ndikuar pozitivisht në skuadrën durrsake?

Të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë, pas dy fitoresh të rëndësishme. Kundër Partizanit është gjithmonë e vështirë. E dimë shumë mirë çfarë do të thotë për Partizanin të fitojë derbin dhe si ndikon në aspektin psikologjik. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur mirë në çdo aspekt për të përballuar kampionët në fuqi.

Një nga pikat e forta të Teutës ka qenë edhe Todorovski. Mendoni se do ndikojë mungesa e tij në repartin mbrojtës?

Reparti mbrojtës ka treguar siguri, por unë do të thosha se e gjithë skuadra ka punuar mirë në aspektin defensiv. Kemi një mungesë të rëndësishme, si ajo e Todorovskit, por mendoj se nesër (sot) nuk do të jetë problem. Lojtari që e zëvendëson besoj se do e bëjë mirë detyrën.

Vecaj do të jetë gati apo nuk është riaftësuar akoma?

Vecaj vazhdon të jetë i dëmtuar. Shpresoj të bëhet gati pas ndeshjeve të Kombëtares.

Cila është pika e fortë e kundërshtarit dhe a mund të themi se edhe barazimi i shkon përshtat Teutës në këtë takim?

Në sezonin e fundit Partizani ka qenë shumë efikas kundër nesh. Na ka shënuar në shanset që ka pasur. Ky është meraku im. Uroj të mos kemi atë fatin e keq që Partizani të shënojë nga ndonjë gabim i yni. Ata kanë mesfushë dhe sulm të mirë.

 Fakti që luani pa tifozë është një plus për ju?

Mungesa e tifozëve është minus për ne dhe për Partizanin. Këtë herë po flas si lojtar dhe jo si trajner. Një futbollist luan mirë kur ka tifozë, ashtu siç i ka në mbështetje, apo edhe kundër.shkembi

Duke e parë ecurinë ku keni fituar me kryesueset, Bylisin dhe Kukësin, shpresoni që do ta bëni të njëjtën gjë edhe me Partizanin?

Do bëjmë ndeshjen tonë, duam të marrim tri pikët gjithmonë. Pas ndeshjes bëhen analizat se sa kemi dhënë dhe sa kemi merituar. Shkojmë të luajmë futboll të mirë, të vëmë në vështirësi Partizanin dhe të tentojmë ta fitojmë.

Mendohet për titullin te Teuta, apo është ende shpejt?

Mendohet edhe titulli te ne, por e dimë shumë mirë që është shumë e vështirë. Duhet të punojmë dhe të rregullojmë problemet që kemi pasur në këto javë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"