“Duam titullin”, Jonuzi: Ekipet po na mbyllen, prisni një Vllazni cinike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 20:59

“Duam titullin”, Jonuzi: Ekipet po na mbyllen, prisni një Vllazni cinike

Fjoart Jonuzi është një nga befasitë e këtij se zoni te Vllaznia. Mesfushori kuksian u afrua në fundin e merkatos së verës dhe pasi iu dha shansi nga trajneri Tomas Brdariç, e shfrytëzoi në maksimum. Ai tashmë është kthyer në një prej titullarëve të padiskutueshëm të skuadrës. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai foli për vazhdimësinë e kampionatit dhe çfarë duhet të ketë kujdes ekipi.

jonuzi

Fjoart, një fitore me shumë vuajtje ndaj Apolonisë. Meritë e kundërshtarit apo…?

Ishte një fitore e merituar, pavarësisht se nuk ishte e lehtë për ekipin tonë. Unë mendoj se me ardhjen e trajnerit italian, Apolonia ka ndryshuar dukshëm. Ekipi fierak më ka surprizuar me lojën që zhvilloi në Shkodër dhe mendoj se çdo skuadër do ta ketë të vështirë ndaj tyre.

Sa kanë ndikuar mungesat në ndeshjet e fundit?

Normalisht që kanë ndikimin e vet. Ka kaluar gjysma e sezonit dhe lodhja ndihet, por të gjithë lojtarët që janë aktivizuar kanë dhënë më të mirën. Ashtu siç bëri edhe Shehi, që na dha tri pikë, e po ashtu Kalaja ndaj Kukësit në fazën e dytë. Stafi po i jep besimin dhe mbështetjen çdo lojtari. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë.

A mund të themi se e keni kaluar tashmë atë minikrizë, që në një sezon të gjatë normalisht mund t’i ndodhë çdo skuadre?

Po, ishte e vështirë, sidomos kur luan dhe me një kundërshtar që është në fund, pasi duhet më shumë motivim. Kam dëgjuar shumëkënd që thoshin që nuk është loja në atë nivel që ka qenë. Tani për ne janë të rëndësishme pikët, jo loja.

Po thoni se duhet të jeni më pragmatistë dhe të harroni lojën e bukur që shfaqet në dy fazat e para…?

Ne kemi krijuar fizionominë tonë të lojës dhe nuk dalim nga vetja, por do të kemi ndeshje kur duhet që të tregohemi më të zgjuar në fushë. Këtë duhet ta bëjmë, qoftë kur jemi në avantazh, e po ashtu edhe në disavantazh. Duhet që të dimë ta menaxhojmë mirë lojën.

Të dielën luani ndaj Skënderbeut. Si e shikoni këtë takim?

Mund të them se do të jetë një tjetër përballje e vështirë. Megjithatë, do të kërkojmë më të mirën, duke marrë maksimumin e pikëve në Korçë.

vllaznia (1)

A ndihet fryma pozitive në skuadër apo tashmë ka nisur të ketë presion?

Edhe nëse nuk e them unë, harmonia që ekziston në skuadër dallohet kollaj. Rezultatet kanë ardhur falë kësaj harmonie që duket. Edhe ne si tifozët, dëshirën e kemi të madhe për të dalë kampion. Nuk jemi euforik në këtë drejtim. Kemi marrë gjithçka me punë dhe përkushtim.

Tani fillon vështirësia e kampionatit. I druheni ndonjë loje të pandershme që mund të dëmtojë Vllazninë?

Tani dihet që vështirësitë rriten. Vllazninë e vlerësojnë dhe ekipet kanë nisur të luajnë ndryshe kundër nesh. Tashmë duhet edhe taktikë, pasi kur mbyllen 10 veta në portë, do të gjejmë mënyrën më të mirë për t’i mundur. Ne duhet të jemi të durueshëm dhe nuk duhet të nxitohemi.

Një kuksian që luan në Shkodër dhe jo tek ekipi i vendlindjes. Do të vazhdoni të jeni pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin e ardhshëm?

Starti i karrierës sime ka qenë me Kukësin që 16 vjeç. Jam aktivizuar shumë i ri, por mosha dhe disa lojtarë cilësore që ishin te Kukësi në ato vite, bënë që unë të kem pak hapësira. Vijova karrierën te Laçi, e më pas në Kosovë. Tani tek Vllaznia ndihem shumë mirë. Nuk e di nëse do të vijoj më gjatë. Kontratën e kam deri në fund të vitit. Nëse situata është si deri tani, dëshira është për të qëndruar në Shkodër.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"