“Duam të ndeshemi në kushte të barabarta me rivalët”/ Basketbolli letër Ramës për ligjin e sponsorizimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 22:24

“Duam të ndeshemi në kushte të barabarta me rivalët”/ Basketbolli letër Ramës për ligjin e sponsorizimit

Ashtu sikurse kishte njoftuar, Federata Shqiptare e Basketbollit organizoi mbrëmjen e djeshme ceremoninë e pritjes për ekipet kombëtare të moshave, të cilët morën pjesë në kompeticionet verore të FIBA-s. Siç dihet, Shqipëria këtë vit u përfaqësua për herë të parë me të gjitha grup-moshat, si për djem ashtu edhe për vajza.

pjimage (1)

Gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e hotel “Rogner”-it, presidenti i FSHB-së prezantoi dhe analizoi përfaqësimin kuqezi në “Challengers”, ndërsa vlerësoi sportistët dhe trajnerët më të mirë të aktiviteteve. Kreu i FSHB-së konfirmoi pjesëmarrjen me të gjitha kombëtaret edhe për vitin e ardhshëm me 8 skuadra, duke nisur nga moshat e deri tek të rriturit. Federata njoftoi gjithashtu pjesëmarrjen për herë të parë në eliminatoret europiane për disiplinën 3×3, që po merr një zhvillim të madh vitet e fundit.

Ndërsa në Tiranë në muajin tetor do të mbahet edhe Konventa Europiane U-14. Përveç komunitetit të basketbollit, të pranishëm në ceremoninë e djeshme ishin edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, si dhe numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. FSHB-ja vlerësoi me tituj mirënjohjeje disa partnerë, ku veçojmë Komitetin Olimpik dhe presidentin e skuadrës Goga Basket, Perikli Gogën.

Ndërkohë, në fund ishte edhe një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes, ku lojtarët e basketbollit shqiptar i adresuan një letër kryeministrit Edi Rama. I gjithë komuniteti i koshit i bën thirrje kreut të qeverisë që të miratojë ligjin e sponsorizimit, ashtu sikurse e kanë vendet që na rrethojnë.

Një ligj që në kushtet e ekonomisë së tregut është baza e zhvillimit të sportit në vend. Lojtarët në kërkesën e tyre theksuan se basketbolli nuk mund të vazhdojë më si lypsarë dhe se në këtë formë nuk mund të përballen në kushte të barabarta me kundërshtarët e tyre. Basketbollistët garantuan se në rast miratimi të ligjit, rezultatet do të kenë një ngritje të jashtëzakonshme dhe të menjëhershme në të gjitha sportet, ndërsa shpresojnë se si një ish-basketbollist do të gjejë mirëkuptimin e kryeministrit Rama.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"