“Duam të fitojmë në transfertë”, flet Daja: Ndaj Vllaznisë nuk është ndeshje revanshi, jo vetëm ne për vendin e tetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2020 | 8:28

“Duam të fitojmë në transfertë”, flet Daja: Ndaj Vllaznisë nuk është ndeshje revanshi, jo vetëm ne për vendin e tetë

Skënderbeu është gati për ndeshjen e radhës që do të luhet sot në Shkodër përballë Vllaznisë. Pas dy humbjeve në dy fazat e para, korçarët kërkojnë revansh. Por trajneri Ilir Daja mban të përqendruar ekipin në prag të kësaj sfide. Numri një i pankinës korçare, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se ndeshja është e një vështirësie të lartë për formën që po kalon Vllaznia dhe nga ana tjetër shmang çdo presion në lidhje me pozicionin dhe përballjet e drejtpërdrejta me shkodranët.ilir daja1

Daja, në ndeshjen e nesërme (sotme) në Shkodër, a do të kënaqeshit edhe me një pikë?

Të them të drejtën, është një ndeshje me një shkallë vështirësie të lartë. Vllaznia vjen pas një fitoreje dhe do të kërkojë që të marrë më të mirën nga ky takim. Ne, nga ana tjetër, do të synojmë që të vijojmë paraqitjet e mira që kemi bërë në vitin 2020. Do të kërkojmë të dalim me maksimumin e pikëve nga kjo ndeshje. Megjithatë, për ne, e rëndësishme është që të japim më të mirën tonë në fushë.

Vllaznia ju ka mundur dy herë. A është koha për revansh?

Nuk kemi përse t’i hyjmë kësaj pjese. Janë ndeshje të kaluara dhe ne duhet të mësojmë që të reagojmë nga gabimet e së kaluarës. Jemi të bindur se ky ekip mund të bëjë shumë më mirë, prandaj nuk duam që ta mendojmë si revansh këtë ndeshje. Do ta shohim si një ndeshje radhe, pa menduar në vijimësi për takimet e tjera, por t’i marrim me radhë ndeshje pas ndeshjeje.

Sa ju shqetësojnë mungesat e dy mbrojtësve në këtë takim?

Të them të drejtën, janë dy mungesa të rëndësishme, si Pollozhani ashtu edhe Imami. E them këtë, pasi kishim krijuar njëfarë stabiliteti edhe në manovër, por edhe në formacion. Për fat të mirë, na kthehet Jashanica që është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe do të mund të mbështetemi tek ai. Jam i bindur që do të funksionojë mirë pas një periudhe të gjatë pushimi.ilir dajaaa

Veç tyre, edhe shumë dilema…

Po, është e vërtetë, mund të them se kemi humbur Elezin dhe Lukajn që nuk do të jenë prezentë në këtë takim. Kjo, për shkak të gjendjes së tyre me virozë që nuk i ka lejuar të stërviten me ekipin. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër.

Skënderbeu i ndien ethet e “play out”-it?

Nëse do të shohim klasifikimin e kampionatit, veç dy ekipeve të para, pjesa tjetër deri në vendin e tetë është shumë e ngjeshur. Nga pozicioni i shtatë ku ndodhemi ne, deri në vendin e tretë në kampionat, lëvizin vetëm 6 pikë. Për këtë ne jemi të bindur se me cilësinë që kemi, mund të ngjitemi lart. Dhe do të bëjmë maksimumin tonë që të ngjitemi lart në klasifikim, atje ku i takon Skënderbeut.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"