“Duam pikë në Vlorë, të dyja ekipet merituan rënien”, Novi optimist para sfidës me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 15:25

“Duam pikë në Vlorë, të dyja ekipet merituan rënien”, Novi optimist para sfidës me Flamurtarin

Pavarësisht se Luftëtari dhe Flamurtari janë dy skuadrat e rëna nga kategoria, përballja mes tyre e vlefshme për javën e 31-të shihet si e duhura nga trajneri Neritan Novi për të mos dalë pa pikë nga qyteti bregdetar i Vlorës. Me gjithë mungesat e disa prej titullarëve, Novi mendon se për të tijtë ka ardhur momenti për të reflektuar.

novi

Në konferencën e zakonshme dhënë për mediat në prag të ndeshjes me Flamurtarin, ai foli për të ardhmen e Luftëtarit, teksa saktësoi edhe arsyet e mungesave të radhës.

Çfarë prisni nga ndeshja me Flamurtarin? Është momenti që skuadra të marrë pikë?

Po, normale. Luajnë përballë dy ekipe të vendit të fundit. Pres reagimin e ekipit ditën e nesërme (sotme). Dua të them që do të jetë një ndeshje e bukur. Ashtu siç do të kërkojmë ne të marrim pikë, edhe Flamurtari do të kërkojë të marrë fitoren, pasi luan në qytetin e Vlorës.

Jeni dy skuadra që keni rënë nga kategoria që në fillim të fazës së katërt, por mendoni se ky është verdikti i merituar?

Po. Përderisa ndodhemi ne vendin e parafundit, besoj se e meritojmë vendin ku jemi.

Sa prej këtij grupi lojtarësh mund të jenë sërish pjesë e Luftëtarit për të synuar rikthimin në Superiore sezonin e ardhshëm?

Unë e kam thënë edhe herë tjetër se të gjithë lojtarët aktualë që ndodhen te Luftëtari janë nën kontratë 2-3-vjeçare. E them me bindje të plotë se pjesa e mirë e lojtarëve do të jenë edhe vitin tjetër. Do të ketë shumë pak lëvizje në ekipin e Luftëtarit.

Luftetari

Përveç dy lojtarëve me kartonë, cilat janë mungesat e tjera dhe çfarë po ndodh me lojtarë si Demo dhe Açka?

Dy mungesat e sigurta për ditën e nesërme (sotme) janë Isufi dhe Duka të skualifikuar. Demo vazhdon të jetë i dëmtuar. Unë mendoj se Demo me dëmtimin që ka, nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Luftëtarit. Ai ka një problem në gju. Ka shumë kohë pa stërvitje dhe deri në fund të kampionatit nuk do të jetë në ekip. Ndërsa për Açkën di që ka ikur në Greqi dhe asgjë më shumë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"