“Duam Kupën”, Peposhi “merr krahun”: Të fortë me këtë grup, por presim afrime cilësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 23:23

“Duam Kupën”, Peposhi “merr krahun”: Të fortë me këtë grup, por presim afrime cilësore

Bylisi është i gjithi i përqendruar në merkato. Klubi po punon për të shtuar cilësinë në ekip dhe kusht i panegociueshëm i Veljko Dovedan është afrimi i lojtarëve që të bëjnë diferencën. Kësaj ideje i bashkohet edhe një prej titullarëve të padiskutueshëm të ballshiotëve, Ardit Peposhi. 

pEPOSHI BYLIS

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se ruajtja e grupit është “arma” më e fortë e kësaj skuadre “Ekipi po e përballon më së miri këtë minifazë, ku po stërvitemi me dy seanca në ditë. Grupi është i plotë dhe kjo është shumë pozitive. Në Superiore kemi bërë shumë mirë. U ndërtua një ekip simpatik me talente dhe kualitete dhe e mbyllëm pjesën e parë të këtij sezoni në pozita kryesuese.

Mendoj se me këtë grup dhe me merkato cilësore, do të jemi më solidë dhe ambiciozë. Por të mos harrojmë se në këtë periudhë rrallë gjen futbollistë të cilët bëjnë diferencën. Ata që kanë kualitet janë nën kontratë me klubet e tyre. Ne nuk kemi nevojë për sasi, por për cilësi. Mua më pëlqen fakti që lojtarët këtë Bylis e kanë çuar në vend të dytë, janë të gjithë dhe kjo është merkatoja më e mirë. Jam shumë i sigurt se në pjesën e dytë ky grup do të ketë një harmonizim akoma më të mirë dhe do të japë edhe më shumë”, tha fillimisht 26-vjeçari.

ardit peposhi

Pasi siguruan vendin e dytë, ballshiotëve u është shtuar “oreksi”. Pretendimet janë madhore, ndaj do ta tentojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës në dy fronte: kampionat e Kupë. “Na presin dy kompeticione të vështira dhe të rëndësishme. Bylisi në Kupën e Shqipërisë ka shkuar shumë afër, madje ka qenë edhe në finale.

Këtë synim kemi sërish, por pa lënë mënjanë edhe Superioren. Do të vijojmë që të jemi dinjitozë dhe unë kam besim se Bylisi do të vazhdojë të jetë bukuria e kampionatit. Kalendari fillon i ngjeshur, pasi luajmë tri ndeshje në shtatë ditë, po do të jemi gati”, përfundoi Peposhi. Ballshiotët veç stërvitjeve, kanë programuar edhe dy miqësore. Të dielën do të masin forcat me Apoloninë në Fier, ndërsa më pas me Vllazninë në Elbasan.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"