“Duam Kupën, Dinamo u kthye”, Pere dhe Kolgega: Në çerekfinale presim derbi, t’u tregojmë forcën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 9:45

“Duam Kupën, Dinamo u kthye”, Pere dhe Kolgega: Në çerekfinale presim derbi, t’u tregojmë forcën tonë

Dinamo eliminoi Bylisin dhe kaloi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në kampin kryeqytetas nuk e quajnë aspak rastësi kualifikimin, madje hapur e thonë që do të luftojnë deri në fund për ta marrë këtë trofe. Në këtë linjë janë edhe Miklovan Pere me Erald Kolgegën, dy lojtarë stabël të formacionit. Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas 120-minutëshit të luajtur në “Adush Muça”, ata zbulojnë planet e ringritjes së “nëndetëses”.

pere

PERE – Miklovan Pere është kapiteni më i ri i bluve. I ardhur nga Pogradeci gjatë merkatos së verës, është kthyer direkt në një lider për mbrojtjen. “Kualifikimi nuk ishte rastësi. E kishim përgatitur shumë këtë sfidë, duke ditur nivelin e kundërshtarit dhe kualitetet që ka, por edhe faktin që luan mirë futboll. Bylisi ka një ekip cilësor, që vrapon dhe luan shpejt, megjithatë ne i eliminuam. Dinamo po e tregon në fushën e blertë se si po punon dhe se ka një projekt ambicioz për të ardhmen. E meritojmë Superioren dhe do të bëjmë çmos që të ngjitemi, por jo pa interes është edhe Kupa e Shqipërisë.

Edhe pse një ndeshje prestigji, treguam se vështirësitë e së shkuarës po hidhen pas krahëve. Ne edhe në miqësoret që kemi zhvilluar kemi luajtur mjaft mirë, por edhe kemi fituar apo barazuar kryesisht me ekipet elitare. Këtë trofe do ta synojmë deri në fund. Shorti? Të jem realist, dua të kemi përballë ekipe të forta dhe t’u tregojmë se nuk është rastësi që Dinamo është këtu. Do të preferoja një derbi, ku të ketë edhe spektakël dhe histori. Shpresoj të jetë kështu. Tashmë na duhet që të presim shortin”, u shpreh pogradecari pas ndeshjes së luajtur në Ballsh.

kolgega

KOLGEGA – Erald Kolgega ka hyrë në vitin e dytë me Dinamon dhe është rikthyer një lojtar stabël për formacionin. Mes emocioneve të kualifikimit, mesfushori e quan totalisht të merituar këtë sukses. “Jam shumë i kënaqur për kualifikimin, e merituam plotësisht. Bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe u shpërblyem. Shokët kanë dhënë shpirtin në fushë, por edhe stafi e mirëpërgatiti këtë tur të dytë. Edhe pse përballë kishim një ekip të Kategorisë Superiore dhe me kualitete e eksperiencë, kjo nuk na pengoi që të merrnim atë çka donim. Për mua ishte një duel special, pasi dihet që Bylisi ka qenë shtëpia ime dhe në këtë sfidë unë u ktheva si një ish. Ky kualifikim është një shenjë e mirë për punën që po bëhet në klub. Po punojmë fort për ta ngjitur ekipin në elitë. Dinamo është një shkollë futbolli”, përfundon mesfushori nga Fieri, i cili ka dalë nga moshat e Bylisit dhe madje ka luajtur me skuadrën e parë për 6 sezone.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"