“Duam Kupën dhe kampionatin”, Sinani tregon ambiciet kuqeblu në “Panorama TV”: Më e vështirë si drejtues, do duhet kohë që rekordi im…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 17:34

“Duam Kupën dhe kampionatin”, Sinani tregon ambiciet kuqeblu në “Panorama TV”: Më e vështirë si drejtues, do duhet kohë që rekordi im…

Vioresin SInani ka qenë i ftuari i sotëm në emisionin “Panorama Sport:” në “Panorama TV”. Ish-bomberi shkodran, tashmë drejtor sportiv i kuqebluve, ka folur për shortin e Kupës që ka vënë skuadrën e tij përballë Egnatias në gjysmëfinale, por edhe ambiciet e klubit për të luftuar edhe për titullin kampion në javët e mbetura të këtij sezoni.

bandicam 2023-03-30 16-40-00-469

Ai është ndalur edhe te karriera e tij e suksesshëm si futbollist, duke pranuar se puna e drejtuesit është më e vështirë.

“Shorti i Kupës? Te tre ishin skuadra të vështira, bashkë me ne ishim katër skuadra të forta. Nuk kishim preferencë. Ndoshta opinioni sportiv apo presidenca kishte qejf Tiranën, por të gjitha ishin skuadra të forta. Na ra Egnatia, një skuadër me kontingjent të mirë lojtarësh që ka bërë mirë në kampionat. Do të jetë një ndeshje e vështirë por kam besim në fund do të jemi në finale. Koha do ta tregojë por e them me bindje që do shkojmë në finale.

Njerëzit e deshën ndeshjen me Tiranën për atmosferën, rivaliteti në fushë me ta ka qenë gjithmonë i fortë, janë dy skuadra që i japin tonin kampionatit shqiptar. Ndeshjet me te bëhen emocionuese, për publikun janë gjithmonë të bukura. Por shorti na vuri përballë Egnatias që them me gjithë mend që është ekip i fortë dhe ka bërë mjaft mirë. Ndaj do të pranojmë shortin.

Patjetër që do ta përballojmë, jam i bindur që me sukses. Ndeshja nuk i përngjan ndeshjes. Egnatia në ndeshjet e fundit me ne ka pasur rezultate pozitive, por shpresoj shumë që këto dy përballje të flasin për ne dhe të shkojmë në finale.

Kupa apo kampionati prioritet? Ne do të luftojmë në të dy frontet, jemi në unison për këtë si me drejtuesit apo lojtarët, të gjithë, që Vllaznia të luftojë në të dy frontet. Sa e arrijmë, do ta shohim, por nuk kemi hequr dorë as nga kampionati, pavarësisht diferencës se kemi përballje direkte me rivalët.

Nuk kemi avantazh në kampionat apo Kupë, jemi të barabartë me të tjerët. Ndaj do të luftojmë për të dy komepticionet. Kemi kontingjent të mirë dhe deri në fund pretendojmë për të fituar trofe.

Fitorja me Bylisin në kampionat patjetër është detyrim. Ndeshjet rrallohen dhe pikët e humbura janë fatale për çdo ekip. Bylisi ka treguar se është kocke e fortë. Por ne kërkojmë pikët, ata i kërkojnë, të gjithë kërkojmë pikë. Megjithatë, në fushën tonë nuk do të bëjmë më hapa fals. Jam i bindur që do të fitojmë me Bylisin.

Largim i Josës? Kam marrëdhënie shumë të mira me profesorin, marrëdhënie korrekte. Janë drejtuesit që vendosin kështu që unë vetëm i uroj sukses dhe të bëhet më e mira me te. Kemi kaluar një periudhë mjaft të mirë bashkë dhe unë ruaj marrëdhëniet me të.

Eksperienca si drejtor sportiv? Në fushë kam qenë dhe në fushë jam sepse do të bëj edhe punën e fushës që të më ngarkohet. Kjo është eksperiencë e re por ne jemi njerëzit e sporti dhe pak a shumë i mbulojmë me korrektesë dhe jam i bindur që do të shkojë mirë.

Karriera e futbollistit është e bukur për të gjithë. Besoj se kam pasur një karrierë të suksesshme në futbollin e luajtur dhe shpresoj që të vazhdojë kështu edhe tani. Kemi pasur rivale ekipet e Tiranës, me ta kemi zhvilluar ndeshje emocionuese. Rivaliteti vazhdon dhe jam i bindur se do të vazhdojë gjithmonë. Lojtarët që shënojnë gola kanë edhe ata egon e vet e dëshirën, por besoj se nuk më ka mbetur gjë pishman prej karrierës.

Rekordi me 207 gola në Superiore? Ndoshta do të jetë e vështirë të thyhet. Rekordet janë bërë për t’u thyer> E vështirë do të jetë se tani një sulmues i mirë luan një apo dy vite e largohet. Ndoshta do pak kohë por besoj se do të jetë i vështirë për t’u thyer.

Sot ndoshta janë rrugët më të lirshme për lëvizje jashtë. Edhe unë jam larguar, por megjithatë është më e thjeshtë që sulmuesit e mirë të shkojnë, janë rrugët më të hapura. Në kohën tonë ishte pak më e vështirë me viza apo jo. Por sulmuesit e mirë, si në atë kohë e tani, i bëjnë vend vetes. Lojtarët që shënojnë janë të vështirë për t’u gjetur dhe besoj se do të kenë kërkesa gjithmonë.

Kush është më e vështirë? Si drejtor e trajner është një punë e vështirë. Si lojtar ke punë me veten tende direkt, je apo nuk je. Por si drejtues ke të bësh me shumë persona njëkohësisht ndaj është më e vështirë.

Nuk dua të bëj krahasime me Vllazninë në të kaluarën se them gjithmonë që çdo ekip është i mirë për kohën e vet. Vllaznia gjithmonë do të jetë ndër pretendentet kryesore dhe ekipet e para. Çdo ekip është i mirë për kohën e vet, unë personalisht kështu e mendoj.

Shanset e titullit? Distanca është krijuar të them të drejtën por ne jemi me shpresë. Shpresa vdes e fundit dhe do të bëjmë çmos që të triumfojmë në të dy kompeticionet. Pse të mos pretendojmë, në ndeshjet direkte do të ndahen shumë gjëra.

Objektivat e Vllaznisë janë maksimale, arrihen apo jo, llogarite bëhen në fund. Por një ekip si Vllaznia duhet të ketë gjithmonë objektiva maksimal”, tha Sinani në intervistën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"