“Duam Kupën dhe Europën”, drejtori Shtubina: Egnatia ambicioze, keqardhje që lamë 2 pikë në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 20:48

“Duam Kupën dhe Europën”, drejtori Shtubina: Egnatia ambicioze, keqardhje që lamë 2 pikë në Ballsh

Një barazim në transfer të vlen. Ndaj Bylisit që e priti Egnatian, pasi kishte fituar në transfertën me Laçin, nuk ishte dhe aq e lehtë. Sipas drejtorit të KF Egnatias, shkodranit që ka qenë një ish-futbollist me shumë përvojë, skuadra rrogozhinase shfaqi konsiderueshëm ambicie.

NDRICIM SHTUBINA

“Fakti i parë që dua të ilustroj në lidhje me ndeshjen e barazuar pa gola ndaj Bylisit është se ne shpërdoruam shumë raste ideale, disa prej të cilave i evitoi me guxim portieri i ballshiotëve”, saktësoi Shtubina.

MOMENTI – “Shkuam në Ballsh me pretendime konkrete. Vërtet kishim mungesa të rëndësishme, sidomos ajo e kapitenit Santos Xhekson që si në mesfushë ashtu dhe në sulm sakrifikon shumë për nevojat e ekipit. Por jemi një skuadër me një stol të plotë për nga cilësia e lojtarëve. Futbollistët e ashtuquajtur alternativë bënë një paraqitje të kënaqshme duke ruajtur stabilitetin në të tria repartet dhe pa e vënë asnjëherë në rrezik takimin.

Momenti për ne qe mjaft i mirë, sepse patëm arritur dy fitore radhazi ndaj Laçit në transfertë dhe Vllaznisë me rezultat të pastër e të thellë në fushën tonë. Kishim besim që ky moment mund e duhej të shfrytëzohej më mirë dhe duhet të kishim marrë pikët e plota. Megjithatë, në harkun e këtyre 5 javëve të para i kemi provuar të gjitha si fitoret (2), barazimin e vetëm pikërisht ndaj Bylisit dhe humbjet.

Në dy takimet e startit përballë dy skuadrave të kryeqytetit, Partizani e Tirana”, tha Shtubina. Sipas drejtorit të skuadrës rrogozhinase, Shtubina, për të shkuar te suksesi kërkohet diçka më tepër pragmatizëm, që tek Egnatia jo se mungon, por duhet shtrirë në konceptim e disa lojtarëve të tjerë më të rinj që ka ekipi.

Grupi i titullarëve u shfaq me shumë autoritet në këtë transfertë. Fituam vetëm një pikë që sigurisht vlen, sepse mban ndezur shpresën dhe ëndrrën e një përfaqësimi edhe më dinjitoz sesa në sezonin e shkuar”, ka vazhduar më tej drejtori i Egnatias.

NDËRPRERJA – “Ka ardhur në një moment që na ndihmon, sepse si Michael Agpekpornu që mbërriti me vonesë në skuadër, për arsye të pajisjes me dokumentacionin e kërkuar, ashtu dhe disa lojtarë të tjerë që janë në fazën e fundit të rikuperimit të tyre si Xhekson, Hamzat, Levendi, Mecja, etj., kanë mundësinë e riaftësimit të tyre dhe të jenë gati si për sfidën e Kupës në Peqin me Shkumbinin, ashtu dhe atë të 1 tetorit në kampionat ndaj Kastriotit në Rrogozhinë.

Stafi teknik po studion mundësinë që këtë fundjavë ndërprerja të shfrytëzohet edhe për luajtjen e ndonjë takimi miqësor për të mbajtur në tonus të plotë frymën e grupit dhe përgatitur sa më mirë për sfidat që na presin, tregon Shtubina planin që ka Egnatia për javën e re të saponisur. Të gjithë e kuptojnë që kjo nuk është një ndërprerje për të qëndruar inaktivë, përkundrazi për të ringjallur fort potencialet tona.

Objektivat e Egnatias këtë vit janë në të dyja frontet, si në kampionat ku duam të jemi brenda katërshes së parë, ashtu dhe në Kupë për të shkuar deri në turin më të thellë të saj që është mbërritja në finale. Koha në dispozicion e shfrytëzuar me efikasitet nga ana jonë do të tregojë më së miri aftësinë e skuadrës për të përmbushur objektivat e shtruar nga presidenti Agim Demrozi që ka investuar e po bën gjithçka që kjo Egnatia të përmbushë të gjitha pritshmëritë”, tha në mbyllje drejtori i Egnatias, Ndriçim Shtubina.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"