“Duam fitoren në tavolinë”, Sinan Idrizi i kthehet presidentit të Turbinës: S’e njoh fare, ka fyer Vlorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2020 | 10:45

“Duam fitoren në tavolinë”, Sinan Idrizi i kthehet presidentit të Turbinës: S’e njoh fare, ka fyer Vlorën

Sinan Idrizi e quan fyese deklaratën e dhënë nga presidenti i Turbinës dhe jo vetëm për vete, por për të gjithë qytetin e Vlorës. Ai hedh poshtë pretendimet e ngritura për historinë e fanellave, që solli edhe vonesën e ndeshjes me 40 minuta. Gjatë një reagimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori nuk ngurron që të bëjë edhe një batutë nga ato që e karakterizojnë.

Gjoka Idrizi

“Ore, kur më pyetët çfarë reagimi ke për Gjokën… unë thashë se e kishe për Ernestin. Unë vetëm Nest Gjokën njoh dhe vetëm atij mund t’i përgjigjem. Të jem realist, unë nuk e njoh këtë individ që ju po thoni, nuk e kam parë ndonjëherë. Po e kërkoja që t’i jepja një kafe, por nuk ishte në stadium. Tani të thuash për Flamurtarin, i madh apo i vogël apo Barcelona, unë nuk e konceptoj dot. Kush është ky që fyen një qytet të tërë?!

Unë nuk u kthej përgjigje njerëzve që kanë kapacitet më të lartë. Nuk e ul nivelin kaq shumë. Nëse është reagimi i tij, nuk e di, por është shumë e shëmtuar që të përdorësh këtë gjuhë fyerjeje ndaj një qyteti të tërë.

Unë zbrita poshtë dhe kërkova që të fillonte ndeshja, por janë zyrtarët e ndeshjes ata që vendosin për këtë dhe jo unë. Nuk e di se çfarë thotë dhe kërkon ky zotëri që unë nuk e njoh. E di ai që unë kam mesazhe që më ka nisur stafi i tij dhe më falënderon për organizimin. Nëse do, i bëj edhe publike”, shprehet fillimisht Idrizi.

PRETENDIMET PËR “MANOVRA”

Presidenti i Turbinës e quajti “manovër” të Flamurtarit për të marrë fitoren në tavolinë çështjen e fanellave. Kreu i kuqezinjve thotë se po të dojë, mund ta marrë trepikëshin, por jo prej uniformave. Ai thekson se ka pasur gabime të kundërshtarit në protokoll, por edhe në fushë.

“Po të jetë pastaj për ndeshje në tavolinë, ne e marrim edhe në tavolinë. Po, e marrim… E marrë që nga protokolli e deri te gabimet e lojtarëve të tyre që ishin në fushë. Do ai kështu? Atëherë që nesër (sot) ne do t’i drejtohemi FSHF-së për ta kërkuar ndeshjen në tavolinë. Të shikojë protokollin dhe të flasë pastaj. Kemi prova dhe fakte. Unë nuk e kuptoj këtë. Flamurtari ka fushën më komode. Unë pres që të më thonë: ‘A pati probleme, ai i lanë të luajnë apo jo’. Kjo e fanellave nuk është problemi im”, tha Idrizi.

MESAZHI PËR GJOKËN

Sinan Idrizi i jep edhe një mesazh Gentjan Gjokës për ditën që do t’i duhet të shkojë si mysafir në Cërrik. “Unë do t’i shkoj në Cërrik kur të na vijë radha, por do më japë dyfishin e kafes, pasi ai nuk erdhi këtu që ta qerasja unë. Por, do më paguaj edhe fyerjen që i ka bërë qytetit, duke folur me atë gjuhë”, përfundon administratori i kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Situata qesharake në Vlorë/ Presidenti i Turbinës bën ironi me Flamurtarin: Kërkesa absurde, Idrizi donte fitore në tavolinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"