“Duam elitën”, administratori Barushi: Skuadra e karikuar, shans për të nderuar fanellën blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 19:21

“Duam elitën”, administratori Barushi: Skuadra e karikuar, shans për të nderuar fanellën blu

Dinamo pritet që këtë sezon të hapë një faqe të re në historinë e saj. Presidenti Marko Pontreli dhe administratori Ermal Barushi janë përpjekur të ndërtojnë skuadrën që do ta kthejë Dinamon mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Organika ka ndryshuar ndjeshëm në cilësi dhe objektivi kryesor është ngjitja në Superiore.

Ermal Barushi

BARUSHI – Administratori Ermal Barushi thotë se skuadra është në gjendje të mirë dhe thekson se ky është një shans i mirë për ata që kanë veshur fanellën historike të bluve.

“Sigurisht që tani jemi më të qetë sepse më në fund nisim sezonin. Dinamo e luan në Vlorë ndeshjen e parë të sezonit 2020-2021 dhe pretendimi ynë është që ta kalojmë Flamurtarin në kupë, edhe pse përparësi ka kampionati.

Pastaj kemi transfertën tjetër me Erzenin, ku gjithashtu synojmë rezultatin pozitiv. Erzeni ka bërë gjithmonë mirë në këtë kategori është një skuadër fushe dhe do të marrë gjithë vlerësimin tonë, por le të përqendrohemi te Flamurtari për momentin. Objektivat tona janë të qarta dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një, duke synuar fitoren.

Dinamo

Në fund të fazës së dytë duam të jemi ndër 4 pretendentët për t’u ngjitur në Superiore. Në aspektin moral dhe në aspektin teknik skuadra është mirë, e karikuar. Lojtarët janë të uritur për të arritur suksesin. Është një shans i madh për ata që kanë veshur fanellën historike të Dinamos.

Nuk duhet të harrojmë se kjo periudhë e gjatë përgatitjesh ka ndikuar edhe për keq sepse stafi teknik është detyruar të ndryshojë disa herë programin dhe kjo ka sjellë dëmtime të lehta. Dy-tre lojtarë janë ende në fazë rikuperimi. Në emër të Dinamos dua t’u uroj suksese gjithë lojtarëve, stafit dhe tifozët. Një urim për gjithë klubet që në këtë periudhë kanë pasur vështirësi”, u shpreh Barushi.

F.RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"