“Dua vetëm Milanin”, Benaser i premton besnikëri klubit: 50 milionë euro nuk më shqetësojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 15:10

“Dua vetëm Milanin”, Benaser i premton besnikëri klubit: 50 milionë euro nuk më shqetësojnë

Në krah të Daniele Bonerës në konferencë për shtyp, por edhe në krah të Milanit për synimet e së ardhmes. Ismael Benaser është gati për një sezon prej protagonisti dhe lideri siç e konfirmoi edhe një herë me fjalët e tij.

benaser

Mund të thuhet se ndaj Napolit fitoi skuadra?

Patjetër. Ishte e vështirë, por u treguam të bashkuar e ky është shpirti i garës që duhet të kemi gjithmonë. Tani mendojmë për Lilën. Ndeshjen e parë e humbëm dhe meqë kemi këtë rast do të kërkojmë të marrim hak. Jemi Milani dhe bëjmë gjithçka për të fituar gjithmonë.

Keni një klauzolë 50 milionë euroshe. A ndikon në paraqitjet tuaja?

As që shqetësohem fare për këtë aspekt. Unë mendoj për fushën dhe Milanin. Gjërat e tjera nuk janë puna ime.

Ju keni luajtur në Francë. Si ju duket kur e bëni me një ekip jo francez?

Do të jetë gjithmonë kënaqësi, sidomos kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli dhe veshur mban fanellën e Milanit.

Përpara një viti ishit titullar, ndërsa tashmë jeni i pazëvendësueshëm…

Më vjen mirë sepse po luaj shumë, por edhe po mësoj po aq. Një vit më parë isha një lojtar i ndryshëm nga sa jam sot. Te Milani po mësoj gjëra të reja dhe Ibra më ka bërë një futbollist më të mirë duke qenë se pretendon gjithmonë profesionalitet të lartë. Më flet dhe më ndihmon tej mase.

Humbja e “San Siro”-s me Lilën a ju shtangu?

Ishte një disfatë e hidhur, aq më tepër sepse vuajtëm edhe në fushë. Meritat i duhen njohur rivalit që luajti mirë dhe na mundi. Kemi punuar shumë mbi atë çka ndodhi në atë takim dhe do të mundohemi të mos përsërisim gabimet e sidomos që të fitojmë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"