“Dua trofe, me këtë ritëm kapim vendin e dytë”, Daja: Mendoj vetëm për Skënderbeun, uroj të mos më ndodhë si te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 11:42

“Dua trofe, me këtë ritëm kapim vendin e dytë”, Daja: Mendoj vetëm për Skënderbeun, uroj të mos më ndodhë si te Flamurtari

Skënderbeu vazhdon të jetë pezull për çështjen e Europës, por kjo nuk e pengon që të luftojë në dy fronte. Pasi kanë blinduar vendin e tretë në kampionat, tashmë duan edhe Kupën e Shqipërisë. Ky është misioni i të gjithëve në Korçë, e mbi të gjitha i Ilir Dajës. Trajneri “lutet” që të mos i përsëritet historia e Flamurtarit, megjithatë paralajmëron se në Ballsh do të shkojnë për fitore. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 53-vjeçari “kërcënon” Kukësin dhe sqaron të ardhmen.ILIR DAJA

Luani në Ballsh nesër (sot), çfarë pret Daja nga kjo ndeshje e parë çerekfinale?

Kupa ka një specifikë ndryshe nga kampionati. Edhe pse luhet në 180 minuta, nuk të lë kohë për të gabuar. Një rezultat jo fort bindës në ndeshjen e parë të krijon vështirësi tek e dyta. Jemi të detyruar që të bëjmë njëfarë rrotacioni, pasi në dy ndeshjet e para kemi bërë pak ndërrime dhe kontingjenti e kërkon një gjë të tillë. E megjithatë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Na pret një ndeshje delikate në Ballsh, pasi sikundër ne, edhe ata e kanë si objektiv këtë trofe.

Ju në fakt njiheni si një trajner që nuk para bëni rrotacion…

Unë kam qejf të bëj rrotacion, por pa prishur ekuilibrat. Jam pak i ngurtë, pikërisht prej kësaj. Nuk jam i detyruar, por është domosdoshmëri që t’i japim pushim ndonjë lojtari që është i kontraktuar. Duke qenë ndeshjet e para, më duhet që të shmang sa më shumë të jetë e mundur dëmtimet dhe për të pasur një kontingjent më të plotë për vazhdimësinë.

Në Vlorë sulmi shpërdoroi shumë, a patët kohë për të korrigjuar diçka?

Koha nuk ishte e duhura, por kemi punuar natyrshëm. Përveç finalizimit i kemi dhënë rëndësi edhe mënyrës se si shkon ekipi në zonën e golit dhe me sa lojtarë shkon. Nëse shkon me dy, do të ketë vështirësi në finalizim. Për t’u treguar të sinqertë, do të jemi të kujdesshëm nesër (sot) dhe pragmatistë. Por, në momente të caktuara, do të sulmojmë me më shumë lojtarë se në Vlorë.

Skenderbeu

E kishit menduar vendin e tretë në nisje të këtij sezoni?

Nga natyra jam një trajner që nuk bëj parashikime afatgjata dhe nuk jam nga ata që them: “Prisni se pas 3 ose 6 muajsh, do na shihni ku jemi…”. I marr gjërat gradualisht. Potenciali nuk na ka munguar kurrë, problemi i vetëm ishte nisja me vonesë e përgatitjeve. E dinim që me kalimin e kohës, ekipi do të rritej dhe do të funksiononte më mirë. Ndaj, vend për befasi nuk ka, pasi boshti dhe përvoja është.

Post-pandemisë lojtarët e Skënderbeut kanë rrëfyer se keni punuar me një program special, ndaj edhe është kjo ecuri. Mund të zbuloni çfarë keni bërë ndryshe?

Në një ndërprerje kaq të gjatë, ishim shumë më të kujdesshëm. Morëm informacion nga çdo lojtar, për të ndërtuar edhe programin. Ishte shumë herë më fleksibël në ngarkesa, pasi na vinin lojtarë me gjendje të ndryshme pas punës individuale në shtëpi. Këtë pjesë kam bërë.

Skënderbeu është vetëm 3 pikë larg Kukësit, mund ta presim një rokadë pozicionesh?

Pas kësaj situate botërore, asgjë nuk mund të parashikohet. Dhe sidomos në futboll, që është një lojë subjektive. Ajo që na bën të shpresojmë, është dëshira dhe fryma që ekziston brenda grupit.

Daja e do vendin e dytë?

Ne duam që të synojmë sa më lart dhe përderisa vendi i dytë është vetëm 3 pikë, ky objektiv është i realizueshëm. Nëse vazhdojmë të punojmë me këtë ritëm dhe me këmbë në tokë, pse jo?!Ilir Daja

Keni shanse që të kapni zonën “Euro” si nga kampionati dhe nga Kupa. A do t’ju vinte keq që të përjetonit edhe një herë atë që ndodhi me Flamurtarin?

Kur e arrin një objektiv të tillë dhe më pas nuk merr pjesë, të vjen keq. Do të ishte si një mision i lënë përgjysmë. Por, ne punojmë fort, duke shpresuar që të vijë një përgjigje pozitive dhe të mos na përsëritet historia e Flamurtarit.

Sa e vështirë është të luash në “pikun” e verës?

Sigurisht që jo, por duhet të përshtatemi. E megjithatë, le të shpresojmë që në temperatura më të larta të paktën të shfrytëzohen ndeshjet me drita, në ato stadiume që kanë impiant ndriçimi.

Ka filluar të mendojë për të ardhmen Ilir Daja, pasi vazhdoni të lakoheni gjithnjë e më shumë nga disa klube dhe kryesisht Tirana e Partizani?

Si trajner i Skënderbeut, u kërkoj çdo ditë lojtarëve që të jenë të përqendruar te përfaqësimi i kësaj fanelle. Dhe me këtë moto, sigurisht që eci edhe vetë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"