“Dua të shënoj për nënën time”, flet Hygor: Më ka munguar Shkodra, mund të qëndroj te Vllaznia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 11:29

“Dua të shënoj për nënën time”, flet Hygor: Më ka munguar Shkodra, mund të qëndroj te Vllaznia…

Hygor Guimaraesh i mungoi Vllaznisë për më shumë se dy muaj, por tashmë që është rikthyer premton gola. Largimi ishte i kushtëzuar prej asaj fatkeqësie familjare që pati, megjithatë i mjaftoi ky rast për të kuptuar sa shumë dashuri i dha Shkodra. Pretendimet e brazilianit janë që të luajë në një kampionat më prestigjioz, ndonëse tregohet i sinqertë se nuk e ka aspak të vështirë që të mbrojë ngjyrat e kuqebluve. “Më ka munguar Shkodra dhe Shqipëria.hygor vllaznia

Ndarja nga jeta e nënës ishte një lajm vërtet i keq, por jeta vazhdon dhe hap pas hapi duhet që të bëhem mirë. Disa ditë nuk kam qenë aspak mirë, por duhet që të bëhem i fortë. Tani mund të them se jam i lumtur për faktin që rikthehem për të luajtur sërish dhe kjo mbetet më e rëndësishmja. Shumë tifozë, lojtarë, trajnerët, menaxherët, skuadra dhe të gjithë më kanë mbështetur në këto momente të vështira. Unë kam marrë shumë mesazhe në ‘Instagram’ e ‘Facebook’ dhe kjo është gjë shumë e mirë nga ana juaj, sepse unë nuk kam shumë kohë në Shkodër”, kështu e niste rrëfimin e tij 31-vjeçari.

RIKTHIMI – Përtej sikletit që përjetoi, e ka gjetur gjithnjë hapësirën që të marrë informacione për Vllazninë. E ka të qartë se po luan në një klub të madh dhe me tifozë të cilët duan vetëm fitore, ndaj shpreson që pjesa e dytë e këtij sezoni të jetë gjithnjë e në rritje. “Skuadra ka pasur momente kur nuk ka qenë mirë, por kjo është normale në një kampionat të gjatë. Mendoj se pas kësaj minifaze do të jemi të fortë. Do të futemi në fushë me këmbë të mbarë për të marrë sa më shumë pikë. Le të luajmë si një ekip i madh dhe të fitojmë çdo ndeshje.

Jam munduar që të lexoj mediat online për Vllazninë kur isha në Brazil, për aq kohë sa kisha. Tani për qëndrimin ose jo te Vllaznia në fund të sezonit nuk di çfarë të them. Nuk është vështirë të qëndrosh te Vllaznia, mua më pëlqen Shkodra, më pëlqejnë tifozët dhe kjo është më e rëndësishmja. Kur punon në një vend ku je i lumtur, nuk është aspak e vështirë që të qëndroj edhe një vit, dy vite apo shumë vite. Natyrshëm që duhet të presim se si do të jetë situata me ekipin dhe qëllimi im është që të shkoj dhe të luaj në ndonjë kampionat të madh dhe në ndonjë ekip të madh me 30 mijë tifozë mbase, por nuk është problem edhe nëse qëndroj këtu sepse më pëlqen Shkodra”, shtoi mesfushori .vllaznia hygor

FORMA – Nuk është në gjendjen e tij optimale dhe kjo është e kuptueshme, pasi ka prej 8 nëntorit që nuk zbret në fushë. E megjithatë, paralajmëron se do të ketë minutat e tij edhe ndaj Flamurtarit. Shpreson që ta gjejë direkt golin, i cili do t’i dedikohej nënës së tij, e cila nuk jeton më. “Ne jemi gati. Vllaznia është më e fortë, ka bërë fazën përgatitore, kemi lojtarë të mirë, kanë ardhur edhe lojtarët e rinj dhe unë mendoj që brenda këtyre ditëve jemi të gatshëm që të marrim fitore në çdo ndeshje.

Shpresoj që të shënoj sa më shumë gola për Vllazninë, sepse do të më bënte shumë të lumtur. Nëse shënoj që ndaj Flamurtarit, goli do të jetë për mamanë time që është në qiell. Nuk jam 100% i gatshëm fizikisht, por që nesër (sot) mund të luaj 20 minuta. Në vazhdim do t’i shtoj minutat, derisa të kap formën time optimale”, përfundoi numri 8 i Vllaznisë, i cili ishte i vetmi brazilian që bindi nga afrimet e verës.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"