“Dua të shënoj dhe të asistoj”, Tedi Cara para derbit: Luaj kudo, Zhunior na ka përforcuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2021 | 23:00

“Dua të shënoj dhe të asistoj”, Tedi Cara para derbit: Luaj kudo, Zhunior na ka përforcuar

Të luash në ndeshjen derbi mes Partizanit dhe Tiranës është një dëshirë e çdo futbollisti në Shqipëri. Dihet se derbi i kryeqytetit është ndeshja më e ndjekur nga tifozët dhe ndoshta më e rëndësishme për dy skuadrat. Si të kuqtë, ashtu dhe bardheblutë e shohin këtë sfidë si tepër të rëndësishme dhe që mund të konsiderohet edhe si pikë kthese përgjatë sezonit. Një sfidë tepër të rëndësishme e konsideron edhe talenti i Partizanit, Tedi Cara. 20- vjeçari ka bërë një sezon tepër të mirë deri më tani. Edhe pse shumicën e ndeshjeve i ka nisur nga stoli, anësori ka qenë tepër produktiv, duke shënuar tre gola dhe duke asistuar tre të tjerë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Cara u shpreh se suksesi i klubit është parësor dhe se për të nuk ka rëndësi nëse luan nga minuta e parë apo aktivizohet nga stoli, por rëndësi ka vetëm triumfi i skuadrës.

cara hidi

Luani ndeshjen derbi kundër Tiranës, një sfidë ku nuk ka favoritë. Do të dëshironte Cara ta niste nga minuta e parë këtë sfidë?

Unë gjithmonë stërvitem për të qenë gati të ndihmoj ekipin, pastaj e nis nga minuta e parë apo nga stoli, është zgjedhje e trajnerit. Unë e kam për detyrë që sa herë të luaj, të jap maksimumin dhe të jem i rëndësishëm për ekipin.

Me statistika, jeni lojtari më produktiv te Partizani, me tre gola dhe tri asiste. Sa gola mendoni se mund të shënoni këtë sezon?

Unë jam sulmues dhe e kam detyrë për të shënuar ose asistuar. Dëshira ime është të ndihmoj sa më shumë ekipin, pastaj vijnë statistikat. Shpresoj që deri në fund të jenë statistika sa më të mira.

Në krahun e majtë, është afruar Stenio Zhunior. Një “rival” për ju, por a mendoni se ardhja e tij edhe mund t’ju ndihmojë personalisht?

Stenio është një lojtar shumë i mirë dhe do të japë kontributin e vet për Partizanin që të arrijmë qëllimet e klubit. Pastaj për konkurrencën, mund të them që na bën mirë dhe ardhja e tij, na ka forcuar edhe më shumë.

Keni provuar të luani edhe në krahun e djathtë. Ku ndiheni më mirë në fushën e lojës?

Unë luaj në çdo pozicion që ka nevojë ekipi dhe do të jap maksimumin gjithmonë. Pozicioni ku ndihem më mirë është sulmues i majtë, por kam provuar të luaj dhe në role të tjera. Personalisht, nuk e kam problem aspak rolin në fushë.

Çfarë prisni nga derbi?

Shpresoj të fitojmë dhe jemi gati për këtë. Nuk e di nëse do të luaj nga fillimi, por do të jap më të mirën në çdo moment që do të aktivizohem.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"