“Dua të riluaj kundër Dortmundit”, rrëfehet Handanoviç: Ja pse u bëra portier …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 21:44

“Dua të riluaj kundër Dortmundit”, rrëfehet Handanoviç: Ja pse u bëra portier …

Samir Handanoviç është gjysma e Interit. Kush nuk e beson, le të shikojë ndeshjet e fundit me Padelin në portë. Portieri slloven pritet që të rikthehet për sfidën e ardhshme në kampionat dhe ditën e djeshme ka dhënë një intervistë për karrierën, arritjet dhe pengjet e tij. 

handanovic

Samir, si ka nisur karriera juaj? 

Si të gjithë të tjerët. Unë luaja më shokët e lagjes aty afër shtëpisë sime. Pastaj u regjistrova te skuadra e Slovanit, që tani mund të jetë në Kategorinë e Tretë ose të Katërt.

Në atë kohë ishin shumë të njohur për akademinë. Shkoja në stërvitje me biçikletë bashkë me shokët e mi. Në fillim nuk isha portier, por më vonë vendosa që të futesha në portë duke parë kushëririn tim Jasmin Handanoviç, i cili ishte 6 vite më i madh dhe shkoi në Itali.

Ishte futbolli ëndrra e fëmijërisë suaj? 

Po. E kisha këtë ëndërr, ashtu si fëmijët e tjerë. Isha edhe unë nga ata që kisha albumin për ta plotësuar me figura. Kam qenë me fat në jetë sepse prindërit më kanë edukuar dhe më kanë treguar vlerën e sakrificave. Të punosh maksimalisht është e vetmja rrugë për të arritur objektivat. Këtë gjë kërkoj edhe nga fëmijët e mi.

Por ama nuk ishte e lehtë që të largoheshit nga shtëpia? 

Unë besoja realisht te futbolli dhe ajo telefonatë nga Udineze erdhi. Më kishin parë me ekipin e moshave të Sllovenisë. Nuk mora leje te prindërit, sepse isha mjaftueshëm i rritur për të vendosur vetë.

Vendosa të shkoja dhe futbolli italian ishte ai që më pëlqente. Kam gjetur këtu njerëz pozitivë që më këshillonin. Sigurisht që familja më mungonte dhe sa herë kisha kohë të lirë, shkoja t’i takoja.

Kur e kuptuat që mund të arrinit në nivele të larta?

Nuk jam kënaqur kurrë me pak dhe as tani nuk e mendoj se jam në nivele të larta. Në futboll, sidomos në Itali mjaftojnë pak ndeshje për të ndryshuar mendimin si pozitivisht, ashtu edhe negativisht. Kam qenë në Serinë B te Rimini dhe ishte kampionati më i bukur i të gjitha kohërave, edhe me Juventusin, Xhenoan dhe Napolin. Ishte një kampionat që më ndihmoi për t’u përmirësuar.

 I lexoni notat pas ndeshjeve? Po sporte të tjera shihni? 

Po, po. Ndjek sporte të tjera. Notat në përgjithësi nuk i lexoj, edhe pse në përgjithësi kam personat që më njoftojnë për gjërat që duhet të lexoj me vëmendje.

A jeni ju një nga ata lojtarët që shkoni në stërvitje një orë përpara të tjerëve? 

Unë bëj detyrën time si të gjithë profesionistët. Pastaj është normale që të bëj më shumë kur është nevoja.

Po në shtëpi punoni? 

Po. Është e pashmangshme. Edhe pse në shtëpi kam gjithçka tjetër për të kaluar në mënyrë të mrekullueshme: familjen time.

Çfarë këshillash do t’i jepnit një lojtari të ri? 

Nuk jam nga ata tipa që këshilloj shumë, sepse secili e di vetë rrugën që duhet të ndjekë. Por të rinjve u duhet thënë që të heqin dorë nga budallallëqet dhe të shfrytëzojnë në maksimum momentin.

Po për jetën tuaj pas futbollit po mendoni? 

Jo. Është ende shumë herët. E vetmja gjë që mendoj është ndeshja pasardhëse.

Cilat janë ndeshjet që nuk do t’i harroni kurrë?

Kam dy ndeshje në mendje. E para me kombëtaren kundër Rusisë për Botërorin e vitit 2010. Ndeshjen e parë e kishim humbur 2-1, ndërsa në shtëpi fituam 1-0 dhe u kualifikuam. Ne si Slloveni nuk ishim favoritët, por tifozët në Maribor na ndihmuan që të eliminonim Rusinë. Më kujtohet goli dhe krosimi dhe Dediç që shënon. Festova i vetëm në zonën time, por mendova që ndeshja ishte ende e gjatë.

Keni një ndeshje që do të donit ta riluanit? 

Do të doja të luaja dy, Arsenal-Udineze dhe humbjen e Interit kundër Dortmundit. Ndaj Dortmundit po luanim një ndeshje fantastike, por rezultati nuk ishte i duhuri. Do të doja ta riluaja sërish. Kam pësuar shumë gola në përgjithësi dhe kjo më mërzit. Unë jam i kënaqur vetëm kur nuk pësoj gol.

Cilët janë stadiumet më të bukura ku keni luajtur?

Janë stadiumet ku ka shumë njerëz: “Marasi”, “Meazza”, “Celtic Park” dhe stadiumi i Dortmundit. Nga stadiumet ku nuk kam luajtur do të më pëlqente të luaja në “Anfield”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"