“Dua të qëndroj te Specia, Kielini rivali më i fortë”, Manaj: Ëndërroj Interin, Mesit nuk i ndërhyja kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 20:53

“Dua të qëndroj te Specia, Kielini rivali më i fortë”, Manaj: Ëndërroj Interin, Mesit nuk i ndërhyja kurrë

Nëse ajo e Salernitanës ishte një mbijetesë që nuk mund të besohej as në ëndrrat më të bukura, në javën finale dhe me 10 ndeshje të fundit të luajtura në mënyrë perfekte, jo më i paktë ishte edhe shpëtimi i Specias. Skuadra e drejtuar nga ish-interisti Tiago Mota gjithsesi ishte më konstante gjatë të gjithë sezonit dhe duke luajtur me llogari në disa ndeshje që nuk mund të gabonte qëndroi në elitën e Serisë A. Një prej protagonistëve absolutë të “Lakuriqëve të Natës” ishte edhe Rei Manaj, sulmuesi i datëlindjes 1997 i rritur tek Interi, por në pronësi të Barcelonës.

manaj

Futbollisti shqiptar shënoi 5 gola me peshë për mbijetesën, por në të njëjtën kohë tregon se edhe idetë për të ardhmen i ka shumë të qarta:

“Te Specia jam shumë mirë dhe do të isha i lumtur që të qëndroja, – nis intervistën e tij për uebsajtin “calciomercato”. – E di atë që dua dhe e them hapur, por tani i takon klubit që të bëjë një sakrificë për mua, për vlerën e kartonit dhe për rrogën. Për të vazhduar së bashku duhet të jenë dakord të dyja palët dhe unë kam vendosur ta bëj lëvizjen e parë”.

Rei, jeni i kënaqur me mbijetesën?

Po, pa dyshim, sepse ishte një objektiv i vështirë për t’u arritur në fillim të sezonit, por mendoj se e menaxhuam dhe e arritëm lehtë atë. Vështirësitë mund të kishin qenë të mëdha, duke parë se ne ishim skuadra me moshën mesatare më të re, por në fund ia dolëm dhe mendoj se e ardhmja mund të jetë edhe më e bukur për të gjithë ne.

Po sezonin në nivel personal si e gjykoni?

Nuk është e lehtë të shënosh kur je pjesë e një skuadre, që objektivin sezonal ka luftën për mbijetesë, por mendoj se kam përmbyllur një vit futbollistik pozitiv. Tani shpresoj që të rris numrin personal të golave sezonin e ardhshëm.

Në çfarë gjërash mendon se ju ka përmirësuar trajneri Mota?

Kam mësuar të jem më deciziv në fushë, edhe pa pasur nevojën që të shënoj. Më ka mësuar disa lëvizje, se si të krijoj situata të rrezikshme loje për shokët e mi, por edhe se si të vonoj manovrën e lojës, kur na intereson neve për të ruajtur rezultatin.

Cili ishte mbrojtësi më i fortë që ju ka markuar?

Po ju them dy, Kielini e Shkriniar. I pari ka eksperiencë dhe një fizik monumental, gjigant, por mbi të gjitha në nivel markimi mendoj se nuk e bën askush si Xhorxho. Shkriniar ndërkohë është i përqendruar në çdo sekondë të lojës, është e pamundur që ta shpërqendrosh. Për të festuar mbijetesën, Verde leu mjekrën me të verdhë.

Po ju keni menduar diçka të këtij lloji?

Jo, nuk kam vënë asnjë bast me veten dhe nuk do të lyej asgjë. Limitohem që të festoj mbijetesën tonë dhe kaq.

Jeni shumë i ri, por të mendosh që debutimin tuaj në Serinë A e keni bërë mjaft vite më parë: 23 gusht 2015, në Inter-Atalanta…

Do të falënderoj gjithë jetën Mançinin për mundësinë që më ka dhënë duke më dhuruar debutimin, por më pas më dhuroi edhe disa pjesë loje të rëndësishme në ndeshje të ndryshme. Dhe nëse doni, tani e ëndërroj një rikthim tek Interi.

Çfarë trajneri është Roberto Mançini, për ju që e njihni?

Ka bërë historinë duke fituar shumë dhe kudo. Arrinte gjithmonë që të nxirrte nga çdo lojtar diçka të fshehur që mund të kishte, por ajo që binte në sy ishte ana taktike, ku ishte më shumë sesa i përgatitur. Në atë periudhë që ishim së bashku tek Interi më ka ndihmuar të menaxhoj plot situata të ndryshme, disa prej të cilave jo edhe të bukura. A mund të na tregoni njërën? Drejt fundit të kampionatit tim të parë me Interin ishim të gjithë të relaksuar, pak të përqendruar. Teksa po stërviteshim, e ndaloi seancën dhemë urdhëroi që të shkoja në dhomat e zhveshjes, pasi nuk po stërvitesha siç duhej. Aty për momentin isha më shumë sesa i nervozuar, por më pas kuptova se ai po e bënte vetëm për të mirën time dhe e mësova leksionin.

Prisnit më shumë nga Interi ndaj jush?

Jo do të thosha… Sepse kur vjen në një ekip të madh që në moshën 17-vjeçare, është e vështirë që të fitosh menjëherë hapësirë. Ndoshta isha unë ai që nuk i përmbushi pritshmëritë, ndonëse personalisht nuk mbeta aspak i zhgënjyer nga zgjedhja e tyre.

Cili ishte lojtari që ju këshillonte më shumë në Milano?

Geri Medel më qëndronte gjithmonë pranë. Edhe sot kemi mbetur miq të shkëlqyer.

Jeni ndeshur këtë sezon?

Unë i shënova Bolonjës, por ai nuk ishte në fushë në atë ndeshje. U takuam pas ndeshjes dhe ai bëri shaka me mua, duke më thënë se nëse do të kishte qenë në lojë, nuk do të më linte të realizoja.

Pas Interit, ëndrra Barcelona. Na e tregoni momentin e firmave?

Etapa më e rëndësishme e jetës sime. Më kishin afruar në skuadrën B, por Luis Suarez u dëmtua dhe do të qëndronte 5 muaj jashtë. Madje, pati edhe një moment ku mund të isha spostuar definitivisht në skuadrën e parë, por mbeta te rezervat. Gjithsesi, pesha e bluzës së Barcelonës ndihej kudo. Në fushë dallohet diferenca mes lojtarëve të Barcelonës dhe të tjerëve, pasi luanin me një qetësi të pabesueshme.

Çfarë efekti është të shohësh Mesin pranë teje?

Unike, pasi është i vetmi lojtar që më ka bërë të emocionohem. Është më i forti i historisë. Nuk dinte të gabonte gjënë më të vogël as në stërvitje, por mbi të gjitha dinte të merrte gjithmonë vendimin e duhur.

Na tregoni ndonjë anekdotë me Mesin!

Gjatë stërvitjeve kam qenë gjithmonë i kujdesshëm që të mos i ndërhyja ashpër tij. Në një moment patëm një duel një kundër një dhe ai fillimisht u spostua djathtas, më pas majtas dhe në fund unë e lashë të kalonte. Me një tjetër përballë nuk do të kishte shkuar ashtu.

Po te Barça, kush ishte mbrojtësi që ju vinte më tepër në vështirësi?

Fizikisht Arauho ishte madhështor, por Pike me eksperiencën e tij ishte i pakalueshëm. E dinte më parë se ku do të shkonte topi.

Roma do të luajë finalen e Ligës së Konferencës në Shqipërinë tuaj…

Është një rast i bukur për të gjithë vendin tonë, i cili ka ndërtuar vërtet një stadium të bukur për Kombëtaren dhe klubet tona. Që fëmijë më ka bërë shumë efekt sa herë luaja në Tiranë, por shpresoj që kryeqyteti ynë t’i sjellë fat Romës për suksesin e parë në Europë.

Na tregoni se çfarë pati ndodhur disa vite më parë me ish-trajnerin De Biazi, kur ju u shprehet publikisht: “Nuk i kam dërguar mesazhe, pasi nuk i lëpihem askujt”…

Isha ende një adoleshent dhe doja të shkoja në Kombëtare, por ai nuk më thërriste. Kam thënë gjëra të nxituara, të cilat mund të ishin menaxhuar më mirë, si nga unë, ashtu edhe nga ai. Më pas me trajnerin i sqaruam dhe ende sot kemi një marrëdhënie të bukur.

Po me trajnerin Reja, cila është marrëdhënia?

Kam një respekt të madh për personin dhe trajnerin. E dua vërtet shumë, pasi është i kujdesshëm ndaj të gjithëve ne. Madje, edhe verën e kaluar, kur isha i dyzuar për t’u huazuar në Spanjë apo në Itali, fola me atë dhe Reja më këshilloi që të rikthehesha në Serinë A.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"