“Dua të qëndroj”, Mone: Jam gati për “manita” me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2021 | 13:08

“Dua të qëndroj”, Mone: Jam gati për “manita” me Lushnjën

Arbër Mone bëhet gati për… “manita”. Pasi mbylli sezonin e 4-t te Lushnja, nuk ka në plan që t’i thotë “Jo” rinovimit. Ashtu si pjesës tjetër të ekipit, edhe mëngjarashit i ka skaduar kontrata. Momentalisht ai po shijon pushimet, e megjithatë nuk ka dilema të mëdha për të ardhmen.

arber mone

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai ka vetëm një dëshirë, që pretendimet e verdhejeshilëve të jenë më madhore. Nuk guxon që të përmendë termin “ngjitja”, por atë synon. “Mbylla një sezon të mirë në planin personal. Edhe pse pata një dëmtim në shpatull dhe nuk e nisa nga fillimi, jam i kënaqur me atë që dhashë dhe 3 golat e shënuar. Nisur edhe nga rrethanat, vendi i pestë në renditjen e përgjithshme ishte maksimumi për ekipin. Ndeshjet kanë qenë të mira edhe jashtë fushës. Për sezonin e ardhshëm është shumë shpejt të flitet.

Kemi disa ditë që kemi marrë pushimet. Unë kam rinovuar disa herë me Lushnjën dhe jam gati që të nënshkruaj prapë, derisa po mendohet që të ndërtohet një skuadër me pretendime të mëdha. Kështu që do të jem i gatshëm. Jam stabilizuar prej më shumë se 4 vitesh këtu, ndaj dua të qëndroj”, u shpreh futbollisti i linjës së majtë, që në këto 4 vite ka pasur vetëm një shkëputje 6-mujore me Lushnjën (kur luajti me Ferizajn në Kosovë).

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"