“Dua skuadër me grintë ndaj Luzit”, Dalipi: Finale për ne, tregohemi “vrastarë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2023 | 11:56

“Dua skuadër me grintë ndaj Luzit”, Dalipi: Finale për ne, tregohemi “vrastarë”

Klevis Dalipi është i qartë se çfarë duhet të bëjë skuadra e tij që të dalë me sukses nga transferta e Luzit sot në orën 15:00. Trajneri i Lushnjës, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet para kësaj sfide tepër të rëndësishme për verdhejeshilët.

Klevis Dalipi

“Ndeshja me Luzin është e veçantë për ne sepse jemi në transfertë dhe e shohim si një finale. Nuk dua të sjell ngarkesë emocionale te djemtë, thjesht u kam thënë që të jenë vigjilentë në çdo moment. Me shumë grintë, por e theksoj, me shumë mendje, për të qenë të kujdesshëm. Në këtë ndeshje episodet mund të vendosin fatin e ndeshjes. Është e vërtetë që në transfertat tona të vështira, të Burrelit, të Lezhës dhe e fundit me Turbinën në Cërrik, kemi qenë shumë pranë fitores. Duhet shumë vigjilencë dhe shumë qartësi në metrat pas. Kemi marrë gola në minutën e fundit shtesë dhe kemi lënë pikët. Megjithatë, besoj se kjo javë ka qenë shumë serioze për ne. Do të shkojmë në Luz, për të bërë atë ndeshje finale”, deklaroi Dalipi fillimisht.

MUNGESAT- Trajneri i verdhejeshilëve foli edhe për mungesat.

“Është mirë për skuadrën, që nga skualifikimi janë rikthyer Canka, Selita dhe Haxhiu. Edhe pse është rikthyer me skuadrën Andoni, ai mori një karton në pankinë kundër Besës dhe nuk do të jetë në këtë ndeshje kaq vendimtare. Kjo periudhë e kampionatit ka dhe dëmtime që na kanë penalizuar, siç është rasti i Doksanit, Andonit e Alushit”, tha tekniku Dalipi.

POROSITË – Tekniku i lushnjarëve dha edhe porositë e fundit: “Për të qenë konkretë kërkoj shumë vendosmëri nga djemtë dhe shumë mobilizim. Mbi të gjitha shumë lojë ‘fair…’, në kuptimin e mirë të fjalës. Do të dëshiroja shumë një lojë të luftuar. Me shumë grintë. Besoj se kjo ka ndryshuar, në këtë periudhë që kam qenë unë në skuadrën e Lushnjës. Ua kam kërkuar djemve dhe e nënvizoj, duhet shumë përqendrim gjatë gjithë lojës. Duke mos i dhënë asnjë lloj mundësie kundërshtarit, për të bërë atë dëmin. Madje, nga krahu tjetër duhet të jemi shumë konkretë, shumë cinikë. Në ato momente të vogla, që na shfaqen në rastet për gol, të jemi ‘vrastarë’, në finalizimin e aksioneve”, deklaroi Dalipi.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"