“Dua përforcime në tri reparte”, Tirana bën gati festën, Orges Shehi: S’më intereson problemi i të tjerëve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 14:42

“Dua përforcime në tri reparte”, Tirana bën gati festën, Orges Shehi: S’më intereson problemi i të tjerëve!

Tirana bëhet gati për festën e madhe. Sfida mes Tiranës dhe Kukësit që është edhe e fundit në kampionat, nis në orën 17:00. Në orën 19:00 zhvillohet ceremonia e trofeut që do të jepet nga presidenti i FSHF-së. Kupa do të jepet në fushë nga presidenti i FSHF-së. Trofeu do të jepet një herë në fushë, por edhe një herë tjetër përgjatë koncertit me të gjithë skuadrën në skenë. Gjatë ceremonisë të gjithë tifozët do të kenë mundësinë të takojnë ekipin dhe të bëjnë fotografi. Si zakonisht, të gjithë lojtarët do të parakalojnë para gjithë stadiumit, që pritet të jetë i mbushur plot. Në orën 19:45, KF Tirana organizon koncertin “T’parët, t’vetmit”. Në këtë koncert marrin pjesë si të ftuar specialë, si: Artiola Toska, West Side Family, Ronela Hajati, Bruno, Klajdi Haruni, Valbona Mema, Pajtim Struga, Bujar Çiçi, Renis Gjoka, Andi Murra Dance Academy, Elai, Kidgrof, Mir Vathi, DJ Sardi, DJ Benito. Nga ana tjetër, trajneri Orges Shehi ka folur për sfidën e fundit me Kukësin, teksa ka deklaruar se kërkon tre lojtarë, ndërsa nuk i interesojnë hallet e të tjerëve.

SHEHI

Zoti Shehi luani me Kukësin në ndeshjen e fundit të kampionatit?

Është diçka e veçantë. Është dita e titullit dhe Tirana kërkon të luajë ndeshjen e saj të fundit në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të zhvillojmë ndeshjen siç duhet luajtur. Jemi përgatitur për këtë ndeshje gjatë gjithë javës. Do të luajmë me lojtarët që janë më në formë në këtë moment. Kemi lojtarët më të mirë të gatshëm për këtë takim në Superiore.

Kukësi dhe Vllaznia e kanë shprehur hapur që duan një ndihmë. Duket se fatet e këtyre skuadrave varen nga ju?

Tirana ka pasur fatet e veta në dorë. Skuadrat e tjera kanë fatet e tyre në dorë. Kemi luajtur gjithmonë për veten tonë. Kemi objektivat tanë dhe nuk na intereson se cila nga skuadrat fiton apo humbet, ne bëjmë ndeshjen tonë në “Selman Stërmasi”. E kemi treguar me të gjitha që dimë të luajmë. Për më tepër që është festë dhe ne kemi rrugën tonë. E përsëris, fatet e skuadrave të tjera nuk më interesojnë. Ekipet e kanë vetë në dorë të bëjnë më të mirën.

Meqenëse jemi në fund të sezonit, tani është koha të flasim për Europën?

Sigurisht që ka disa ditë deri tek Europa. Jemi të përqendruar te disa ditë pushim dhe më pas me urgjencë në punë për ndeshjet e europiane.

SHEHI 1

Do të keni një short me skuadra të forta dhe të dobëta. Skuadra juaj ka nevojë për përforcime, dhe nëse po ku?

Në Europë Tirana kërkon të përfaqësohet sa më mirë. Çdo skuadër ka nevojë për lojtarë të mirë. Nga ana e saj Tirana ka nevojë të përforcohet në çdo pozicion të fushës, në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Veç portës, ne kemi nevojë për lojtarë në çdo repart.

Një mesazh për tifozët e Tiranës, meqenëse është festë dhe dhënia e trofeut të titullit?

Po, ju them që të jenë sa më të shumtë në stadium.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"