“Dua një skuadër të frikshme në fushën e lojës”, Flik karikon Bajernin: Me Borusian, si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 11:19

“Dua një skuadër të frikshme në fushën e lojës”, Flik karikon Bajernin: Me Borusian, si finale

Trajneri i Bajernit, Hans Flik, u shfaq shumë i qetë para ndeshjes me Dortmundin. Në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e premte, Flik u shpreh se skuadra e tij është gati për të luajtur klasiken me verdhezinjtë, që sipas tij po kalojnë një moment të mirë pas fitores ndaj Interit në Champions.

Flik

Çfarë mësimesh nxori Bajerni nga ndeshja ndaj Olimpiakosit?

Na bëri shumë mirë, pasi provuam për herë të parë një rreshtim ndryshe në mbrojtje. Skuadra bëri një ndeshje të mirë, Kimish vrapoi 13.6 kilometra, ndërsa Myler 12.6. Kjo tregon se repartet funksionuan ashtu siç e kisha menduar. Në ndeshjet e kaluara kemi pësuar shumë gola, por kjo duhet të ndryshojë.

Si do të jetë e ardhmja juaj?

Dortmundi për ne është një fotofinish që duam ta kalojmë. Nuk më intereson asgjë tjetër.

Pse vendosët të linit në stol Kutinjon dhe Tiagon të mërkurën?

Të gjithë e dinë që situata nuk është e lehtë. Edhe unë kur kam qenë lojtar, isha shumë i irrituar kur nuk luaja. Por kam 18 lojtarë në dispozicion që sipas meje mund të kontribuojnë njësoj.

Flik2

Do të ketë shansin e tij edhe Lukas Mai?

Lukas është në listën e të grumbulluarve, duke u bërë kështu një alternativë e mundshme për të luajtur në qendër të mbrojtjes.

Si do të përballeni ndaj Dortmundit?

Dua që skuadra të ketë kontrollin e topit dhe të jetë sa më shumë konkrete përpara portës. Momentalisht nuk jemi ende të qartë në lojën tonë pasi na mungon siguria. Ndaj Olimpiakosit disa gjëra funksionuan mirë, por Dortmundi është i një tjetër niveli, ndaj tyre duhet të shtojmë gazin.

Cork tha se kjo ndeshje është vetëm për burra, jeni dakord?

Bundesliga është një lojë ku luajnë burrat, apo jo? Është një ndeshje me nivel të lartë. Të dyja skuadrat kanë lojtarë shumë të mirë, Borusia është e shpejtë në lojën e saj, kështu që duhet të bëjmë kujdes në mbrojtje.

Do të jetë loja e Bajernit më sulmuese në të ardhmen?

Në vitet e fundit jemi mësuar të shohim një skuadër që luan vetëm përpara, por në ndeshjet e fundit kemi parë një ekip të tërhequr dhe kjo nuk i ka pëlqyer askujt. Momentalisht jemi të fokusuar të ndërtojmë një skuadër të mirë në mbrojtje me shpresën që sulmi të bëjë punën e tij, pasi aty cilësia nuk mungon. Por ndryshimi nuk mund të ndodhë nga sot për nesër, por Bajerni duhet të jetë një kërcënim për të gjitha skuadrat.

Flik3

Si është jeta private e Flik?

Kam një qen Labrador (qesh), jam një njeri që rri, kaloj shumë kohë me familjen, kam dy vajza dhe dy nipër dhe më pëlqen të rri me ta. Pjesa tjetër është futboll.

Si është atmosfera në skuadër para Borusias?

Djemtë janë të fokusuar. Ata mezi presin të zbresin në fushën e lojës. Por i kam këshilluar të mos ia shtojnë shumë presionin vetes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"