“Dua një Lushnjë cinike”, trajneri Dalipi kundër së shkuarës: Fitorja… “dënim”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2023 | 10:51

“Dua një Lushnjë cinike”, trajneri Dalipi kundër së shkuarës: Fitorja… “dënim”

Lushnja nuk do më “blof”. Nëse deri më tani kanë gabuar boll, ndaj Tomorit ndryshon historia. I presin në stadiumin e tyre dhe mbi të gjitha para publikut lushnjar, ndaj llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Vështirësia dihet, pasi përballë kanë një ekip me traditë dhe jo pa shkak quhet një “derbi”. E megjithatë, misioni është i qartë: fitorja.

Klevis Dalipi

Ky 90- minutësh do të jetë një provë force, ndonëse aspak përcaktues për fatet e secilës. Kështu mendon edhe Klevis Dalipi, që mundohet të karikojë lojtarët para kësaj përballjeje.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri evidenton rritjen që ka pësuar skuadra dhe detyrimin, të cilin kanë përballë tifozëve.

“Në këtë kategori, skuadër të lehtë nuk ka. Sigurisht, ato të kreut kanë një avantazh. Ndërsa nga vendi i katërt e poshtë, diferencat janë të vogla. Edhe në natyrë loje, edhe në karakteristika lojtarësh. Kështu që mendoj se kjo e nesërmja (sotmja) do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Bindëm në lojë me Skënderbeun dhe me Burrelin, ndonëse pikë morëm tek e dyta. Kam insistuar shumë te loja agresive dhe mund të them që ka rritje, ndonëse pres shumë më tepër. Me Tomorin luajmë në fushën tonë, para publikut tonë. Ata janë të vetmit që nuk kanë faj në këtë histori. Ndaj për tifozët duhet të japim shpirtin në fushë. Duhet t’i bindim me fakte që kemi ndryshuar. Tani kemi shpirt gare dhe një objektiv të caktuar. Jemi të qartë për atë çfarë duam. Por gjithçka shprehet në fushë. Unë besoj shumë te lojtarët e mi, ndaj do të japim maksimumin për të vetmin objektiv: fitoren. Jemi të dënuar për këtë”, tha fillimisht 44-vjeçari, që një sezon më parë ka drejtuar Tomorin.

PRESIONI – Trajneri mohon që skuadra të ketë presion dhe kjo gjë do t’i japë lirshmëri në veprim.

“Që kur kam ardhur, kam thënë se ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Nuk do të krijojmë trysni në skuadër. Kemi një grup ‘miks’. 5-6 lojtarë me eksperiencë dhe të tjerë të rinj. Unë jam munduar të transmetoj tek ata, që çdo minutë loje duhet të jetë e luftuar. Nuk duhet ta tolerojmë në asnjë moment kundërshtarin. Ne e bëmë në njëfarë mënyre këtë gjë. E kemi bërë edhe në Korçë në pjesën e parë. Tani vjen ndeshja e tretë dhe ne duhet të kemi një lloj kurbe rezultatesh. Ka ardhur momenti i duhur për të arritur tek ajo që ne duam, fitorja. Që t’ia dalim, duhet që jemi të kujdesshëm në prapavijë dhe shumë cinikë përpara. Nëse nuk shënojmë, çdo gjë bëhet edhe më e vështirë. Tani janë të gjithë elementët e duhur për të arritur këtë objektiv. Trysni në skuadër nuk ka. Unë jam munduar të transmetoj pa presion tek ata, gjithmonë qartësi, luftë, inteligjencë në lojë. Kjo nuk është një ndeshje, që përcakton ‘jetën a vdekjen’! Kjo është një ndeshje që na çon ne drejt objektivit tonë madhor. Shpëtimit të kategorisë. Prandaj, lojtarët duhet të futen në lojë, që të zbatojnë vetëm detyrat, të cilat u kam dhënë unë gjatë këtyre kohëve që kemi punuar. Të jenë të qetë. Dashamirësia e tifozëve tanë, prania e tyre do të na inkurajojnë. Të jap emocione pozitive për t’u shprehur më mirë në lojë dhe jo t’i ndrydhim ata. Kjo është ajo që unë kam punuar shumë me skuadrën. Unë premtoj luftë të fortë sportive, qartësi dhe agresivitet”, përfundoi trajneri i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"