“Dua Kupën por të kapim Europën nga kampionati”, Martini: Kam miq në Gjirokastër, i njëjti formacion si me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 12:32

“Dua Kupën por të kapim Europën nga kampionati”, Martini: Kam miq në Gjirokastër, i njëjti formacion si me Tiranën

Teuta do të kërkojë sot fitoren e radhës pas asaj paraqitjeje mbresëlënëse ndaj Tiranës. Këtë herë ndaj Luftëtarit tri pikët janë  detyrim, për më tepër që kundërshtari u ka hapur punë durrsakëve, duke i ndalur si në “Niko Dovana”, ashtu edhe në Gjirokastër. Në bisedën për “Panorama Sport” një ditë para sfidës, trajneri Edi Martini u shfaq besimplotë se Teuta do të realizojë synimet, ndërsa lidhur me ndeshjen, ai theksoi se ekipi ka vetëm një alternativë: fitoren. Shkodrani ndien keqardhje që Luftëtari ka zbritur nga kategoria, ndërsa bëri të ditur se kërkon të fitojë Kupën me Teutën.

Edi-Martini

Edi, mund të themi se Teuta e vërtetë ishte ajo ndaj Tiranës?
Teuta bëri një ndeshje të shkëlqyer ndaj Tiranës, sepse luftuam nga minuta e parë deri në fund për suksesin. Tani duhet ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë që kemi dhe të vazhdojmë përpara.

Si kanë qenë stërvitjet postsfidës me bardheblutë. Ka eufori në ekip?
Nuk mendoj që kemi eufori, sepse kemi punuar me shumë kujdes. Djemtë janë të mobilizuar. Kam folur me ta dhe euforia s’ka vend te ne.

Do të luani ndaj një kundërshtari që ka rënë nga kategoria, por në dy ndeshjet e fundit me Teutën ka marrë pikë. Çfarë parashikoni?
Jo vetëm në Gjirokastër, por në çdo ndeshje futemi për ta fituar. Tashmë me Luftëtarin bëhet detyrim fitorja. Më vjen keq për Luftëtarin që tashmë ka rënë nga kategoria, por ne do të shkojmë atje të bëjmë detyrën tonë duke i vlerësuar maksimalisht dhe fituar ndeshjen.
Futbollistet e Luftetarit maska
E keni drejtuar dy herë Luftëtarin dhe madje keni luajtur për të. Ka diçka të veçantë për ju kjo ndeshje?
Më vjen keq, sepse kam shumë miq në Gjirokastër. Kam kaluar një pjesë të mirë dhe të bukur atje të karrierës. Jemi profesionistë dhe luajmë kundër çdokujt, pasi e tillë është rruga jonë.

Do të bëni rrotacion në formacion?
Jo, nuk do të bëjmë rrotacion. Do të jetë ai formacion që ishte me Tiranën. Në varësi të rezultatit, atëherë gjatë lojës do të bëjmë ndryshime. Ne jemi shumë të vendosur për të fituar, s’ka vend për nënvlerësim.

Luani në dy fronte për Europën, cila mendoni se do të jetë rruga e duhur për të kapur këtë objektiv?
Unë e kam thënë që kampionati është shumë i vështirë, por ne do të luftojmë deri në fund. Unë do të doja të isha fitues i Kupës, por duhet që Europën ta kapim përmes kampionatit dhe më pas të ishim më të lirshëm dhe më të qetë për të sulmuar Kupën.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"