“Dua disa fitore radhazi”, Shkëmbi sfidë Kukësit: Janë për kampionë, por Teuta do të rikuperojë… pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 13:51

“Dua disa fitore radhazi”, Shkëmbi sfidë Kukësit: Janë për kampionë, por Teuta do të rikuperojë… pikët

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, doli ditën e sotme para mediave, për të folur në prag të ndeshjes së nesërme që ekipi i tij luan kundër Kukësit.

shkembi

Tekniku i durrsakëve pranon që ka disa mungesa në ekip për këtë transfertë, por ky nuk është justifikim. Shkëmbi shprehet se pret nga lojtarët e tij që të vazhdojnë me ritmin e fitoreve, edhe pse kanë përballë një ekip të fortë si Kukësi, objektiv kanë të rikuperojnë pikë, që i kanë lënë rrugës.

FITORE RADHAZI – Të shpresojmë që të rikthehemi te fitoret radhazi, të vazhdojmë të fitojmë. Kemi kaluar një moment jo shumë të mirë rezultatet, nuk dua ta quaj negativ. E mira do ishte të kishim fituar edhe ndeshjet e shkuara. Por kemi pasur probleme në sulm, te shënimi i golit.

NDAJ KUKËSIT – Shpresoj që ai gol i Vilës në minutën e 90-të të ketë thyer atë tersin që kemi pasur. Nuk duhet të harrojmë që luajmë me një kundërshtar shumë të mirë, kundërshtar që është ndërtuar për titullin kampion. Personalisht, kam shumë besim tek ekipi im dhe mendoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Në fakt, kemi probleme me dëmtimet, me kartonë, por kjo nuk do të thotë asgjë, nuk është justifikim. Ne kemi gati 22 lojtarë, të gjithë stërviten për të luajtur.

GRUPI – Mund të duket e çuditshme, por mua më pëlqen kur kemi mungesa, pasi kanë shansin të luajnë ata që kanë pasur më pak minuta. Mendoj se ata që do të luajnë, do të bëjnë maksimumin që të tregojnë versionin e tyre më të mirë në fushën e lojës. Ne prandaj punojmë, prandaj stërvitemi, që të marrim maksimumin, ose të mundohemi të marrim maksimumin. Do të luajmë për ta fituar ndeshjen, duke respektuar në maksimum kundërshtarin. Qëllimi ynë është të luajmë ndeshjen për të fituar dhe për të vazhduar ecurinë e rezultateve.

OBJEKTIVI – Nga futbollistët pres që ta mendojnë si një ndeshje radhe, të kenë besim për të mposhtur kundërshtarin, të kenë dëshirë për të fituar. Në fakt, unë dhe ekipi, nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë deri tani. Personalisht, mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe meritonim pikë më shumë. Megjithatë, nuk është justifikim kjo gjë. Mendojmë se duhet të kishim marrë diçka më shumë dhe duhet të punojmë të rikuperojmë pikët.

KUNDËRSHTARI – Sido që të ishte ecuria e Kukësit, ky duel do të ishte shumë i vështirë. Kukësi ka cilësi, ekip i mirë investuar. Gjithmonë ndeshjet kundër Kukësit, por jo vetëm, do të jetë e vështirë, aq më tepër pastaj që Kukësi është dhe rival i joni. Jemi aty-aty me pikë dhe nuk diskutohet se edhe ata duan ta fitojnë këtë ndeshje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"