Drithërimat nisin që me Teutën/ Te Kukësi kërkohet kthesa pas dy humbjeve, por kalendari bën kapriço

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 15:01

Drithërimat nisin që me Teutën/ Te Kukësi kërkohet kthesa pas dy humbjeve, por kalendari bën kapriço

Pas dy javëve të para të kampionatit Kukë si mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që shifrën zero e ka te pikët e grumbulluara dhe te golat e shënuar. Në start skuadra e Gegës është mundur nga rivalët direkt, Tirana dhe Partizani, me të njëjtin rezultat, 2- 0.

Kukesi5

E Kukësi rikthehet 7 vite pas në kohë, duke arritur rekordin më negativ në dy javët e para, atë të sezonit 2013-2014 ku pikërisht në javën e parë Kukësi humbte 1-0 ndaj Lushnjës më 31.08.2013 dhe më pas 0-3 në “Zeqir Ymeri” ndaj Vllaznisë. Ngjarje identike ku edhe në atë kohë verilindorët pësonin 4 gola e nuk shënonin asnjë dhe nuk merrnin asnjë pikë në dy takimet e para.

Shkaqet pse nënkampionët kanë këtë start negativ janë ndryshimet e jashtëzakonshme që skuadra pësoi gjatë kësaj merkatoje, e duket që ekipit, edhe pse ka një trajner ekspert si Skënder Gega, do t’i duhet kohë që të gjejë ekuilibrin. Mbas këtyre dy rezultateve të këqija, Kukësi është nën presionin e tyre dhe do t’i duhet me patjetër kthesa.

Nënkampionët pa Gegën në stol do të luajnë ditën e shtunë në Durrës kundër Teutës dhe të mërkurën e ardhshme ndaj Laçit në Elbasan e vetëm tri ditë më pas kundër Vllaznisë në transfertë. Pra, në tri ndeshja në një hark kohor të dhjetë ditëve skuadra duhet të tregojë veten. Presidenti Gjici ka kërkuar tri fitore radhazi në mbledhjen e së hënës së shkuar, ku dha ultimatum për 9 pikë. Por, duke parë forcën e ekipeve që ka përballë, do të jetë shumë e vështirë që të arrihet ky objektiv.

HALLAÇI ZBATON PROGRAMIN E GEGËS

Sakaq, tashmë skuadra do të duhet të vuajë edhe mungesën e trajnerit Skënder Gega, i cili prej disa ditësh është ngujuar në shtëpi për shkak të virusit “COVID-19”. Gjendja e trajnerit është e qëndrueshme dhe këshillat e tij nuk kanë munguar për skuadrën.

hALLACI

Ai ka marrë informacione periodike për gjendjen e lojtarëve, madje ka bërë edhe një program stërvitor të cilin po e zbaton Rrahman Hallaçi. Skuadra mbas fitores në Kupë po kalon formë të mirë e lojtarët janë fizikisht në formë. Është rikthyer Horiç, i cili ka munguar një ditë më parë për arsye familjare. Ekipi është i gatshëm për t’u matur në kampionat me Teutën dhe Laçin e për t’i mposhtur ata. Kualitetet nuk mungojnë, thjesht drejtuesit po punojnë shumë me ekipin në aspektin psikologjik.

SKERDILAID SULOZEQI  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"