Drita sfidon Malmon, pritet një stadium i tejmbushur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2018 | 15:57

Drita sfidon Malmon, pritet një stadium i tejmbushur

Drita luan sot një ndeshje historike, të vlefshme për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Skuadra gjilanase sfidon në orën 20:45 kampionët e Suedisë, Malmo, në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Trajneri Bekim Isufi, në konferencën e djeshme për shtyp, foli me optimizëm.

Drita-Trepca-89-696x463

“E dimë rëndësinë e ndeshjes.E dinë të gjitha sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy takimeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë. Kemi pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për sfidën ndaj Malmos.

I kemi bërë përgatitjet e duhura, të cilat kemi menduar që na nevojiten. E kemi bërë analizën e kundërshtarit. Kemi respekt dhe nuk diskutohet se përvoja dhe niveli i futbollit flet për Malmon dhe ky është ekip favorit. Por, ne nuk do të hyjmë të dorëzuar, do të mundohemi të bëjmë maksimumin.

Drita

E kam besimin te këta lojtarë që do ta japin më të mirën. Presioni i vetëm yni është që të shfaqemi mirë dhe nuk dyshoj për këtë. Jemi krenarë që po e prezantojmë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vetëm viti i dytë yni ky që luajmë në Europë. Është shumë e rëndësishme që Drita dhe Prishtina të kualifikohen. Shpresoj që vitin tjetër në Europë të garojnë tri ekipe kosovare”, është shprehur trajneri Isufi.

Ndërkohë, kapiteni i Dritës, Ardian Limani, bëri një apel për tifozët. “Është fat i mirë për ne dhe mendoj se të gjithë do ta lënë anash lojën e Botërorit për të ardhur në stadium. Prezenca e tifozëve tanë do të jetë motiv shtesë për ne, shpresoj të jenë në numër sa më të madh”.

Drita-FC-696x378

Biletat – Interesimi për ta parë nga afër ndeshjen është shumë i madh. Sipas mediave kosovare, deri më tani janë shitur afro 10 mijë bileta. Ato kanë dalë në shitje në Gjilan, Prishtinë dhe Mitrovicë. Çmimi i biletave fillon nga 3 euro, 5 euro, 7 euro dhe më e larta 10 euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"