Dridhet Partizani, Alban Hoxha rrezikon mbylljen e sezonit
Ndërprerja e kampi onatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare u duk se do t’i bënte punë Partizanit, pasi lojtarët do të kishin mundësi të rikuperonin energjitë e harxhuara në javët e fundit. Sapo nisi punën për Luftëtarin, trajneri Skënder Gega ka marrë një lajm jo të mirë, pasi kapiteni Alban Hoxha braktisi grumbullimin me Kombëtaren, për shkak të një dëmtimi që mori në gjurin e djathtë.
Ajo që e bën shqetësuese dhe e shton ankthin në kampin e kuq ka të bëjë me faktin se portieri është dëmtuar pikërisht aty ku ka pasur probleme dhe në të shkuarën. Në pamje të parë lëndimi duket më shqetësues se zakonisht, meqë dyshojnë edhe për më të rëndën, ndërhyrjen kirurgjikale. Nëse Hoxha i nënshtrohet operacionit, i bie që ai ta mbyllë sezonin, pasi në raste të tilla duhen mbi 6 muaj që të rikuperohesh plotësisht.
Gjithsesi, në kampin e kuq po luten dhe “mbajnë frymën” që dëmtimi i kapitenit të mos jetë i rëndë, në mënyrë që Partizani të mos humbasë liderin dhe sigurinë në prapavijë, kur dihet se ka pësuar vetëm 1 gol në 8 javë kampionat. “Gardianit” të kuq i nisën problemet me gjurin e djathtë, pikërisht më 2 korrik 2015, ku në kuadër të ndeshjes së Ligës së Europës me Stromsgodset, ai del nga fusha me barelë në minutën e 30-të.
Fillimisht portieri e kaloi problemin me terapi, ndonëse që në start u përfol për një ndërhyrje kirurgjikale në gju. Në vijim, kapiteni i të kuqve ka pësuar edhe disa dëmtime të tjera në të njëjtin vend, por ndërhyrja e shumëpërfolur kirurgjikale është evituar gjithnjë. Falë punës së vetë lojtarit dhe stafit mjekësor dhe riaftësues të Partizanit, Hoxha ia ka arritur që në tri vitet e fundit të luajë duke shmangur problemin në gjurin e djathtë.
Madje, për shkak të këtij dëmtimi të vjetër, në disa raste portieri, me lejen e stafit, i ka evituar seancat e para pas ndeshjeve, pikërisht kur ngarkesa ka qenë e madhe. Momentalisht, në kampin e kuq askush nuk di të flasë me siguri, madje edhe vetë portieri mbetet në pritje se çfarë do të nxjerrë sot rezonanca magnetike që ka kryer pas largimit nga grumbullimi i Kombëtares.
E pakta që mund të ndodhë, është që Hoxha të mos luajë të dielën ndaj Luftëtarit. Shpresohet të mos ndodhë më e rënda, e cila mund ta detyronte Partizanin që të në merkaton e dimrit të mendonte edhe për përforcimin e portës.
ILIR CARA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"