Driblon Gilberto, s’vjen pa 95 mijë $ rrogë në sezon. Tirana tashmë synon kroatin Bushiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2014 | 9:05

Driblon Gilberto, s’vjen pa 95 mijë $ rrogë në sezon. Tirana tashmë synon kroatin Bushiç

Gilberto-prezanton-MorinaGilberto Fortunato bëhet çështje te Tirana. Kur dukej se çdo gjë kishte marrë fund dhe se lojtari kishte rënë dakord që të rinovonte kontratën edhe për një sezon, del në pah një tjetër ngërç. Këtë herë duket se përfundimtar. Lojtari kishte rënë dakord që të vinte më datë 15 korrik në kryeqytet, duke pranuar ofertën prej 75000 dollarësh rrogë në muaj, nga të cilat 25 mijë dollarë do t’i merrte paradhënie. Në këto kushte, vetëm 1 javë më parë Gilberto pat kërkuar që klubi t’i dërgonte edhe biletën e avionit në Brazil, ku ndodhet me pushime për të ardhur në Shqipëri. Sakaq, dje menaxheri i tij ka takuar ish-donatorin Refik Halili, i cili pritet të marrë edhe “de jure” drejtimin e klubit, pas miratimit nga ana e Këshillit Bashkiak të 66 për qind të aksioneve (veprimtarisë) të klubit në duart e privatit dhe ka biseduar me këtë të fundit në lidhje me brazilianin. Menaxheri i ka kërkuar Halilit biletën për Gilberton dhe ky i fundit ka qenë dakord që futbollisti të vinte sërish në skuadër.
Biseda – Pas komunikimit telefonik, Gilberto nga Brazili ka kërkuar që përveç biletës, t’i nisej në adresën e tij në e-mail edhe kontrata e re, që ta konsultonte përpara se të nisej drejt Shqipërisë. Vetëm një orë më pas lojtari i ka telefonuar menaxherit të tij duke kërkuar jo më pak se 95 mijë dollarë në vit. Sakaq, Tirana i pat dhënë 75 mijë dollarë, duke ia dyfishuar rrogën (madje edhe më tepër se aq, pasi Gilberto merrte vetëm 3500 dollarë në muaj). Pas bisedimeve, Halili ka pranuar që të ngrejë ofertën deri në 85 mijë dollarë në vit, por asnjë qindarkë më shumë. Nga ana tjetër, Gilberto nuk ka bërë prapaktheu duke theksuar se nuk do udhëtonte në asnjë mënyrë drejt Shqipërisë për më pak sesa 95 mijë dollarë në vit. Në të tilla kushte, Tirana ka hequr përfundimisht dorë nga lojtari, duke kërkuar të tjera alternativa.
Bushiç – Duke hequr dorë nga Gilberto, dje klubi ka kontaktuar menjëherë menaxherin e sulmuesit kroat, Tomislav Bushiç, i cili sezonin e fundit luajti për Vllazninë. Lojtari gëzon respekt te Tirana (dhe jo vetëm) për atë çka tregoi me fanellën kuqeblu gjatë sezonit, ndaj shihet si një lojtar ideal për të zëvendësuar Gilberton në sulm. Mësohet se, nga ana e tij, Bushiç ka kërkuar 6 mijë euro në muaj (pak a shumë e njëjta shifër që Tirana i pat ofruar Gilbertos) për të firmosur menjëherë për Tiranën. Në këto kushte, drejtuesit e Tiranës janë duke shqyrtuar kërkesën e kroatit, por, me shumë gjasa, nisur edhe nga fakti se pëlqehet nga trajneri Gugash Magani, lojtari do të jetë afrimi i radhës në sulmin e bardhebluve.

Ushtrime relaksi para fazës përgatitore
Tirana ka vijuar dje me seancën stërvitore të programuar pasdite, ku nuk mungonte edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, tashmë një nga afrimet e bujshme të bardhebluve, Ervin Bulku. Trajneri Magani, i shoqëruar nga ndihmësi i tij Klodian Dervishi, kanë vijuar me një program disi të lehtë, me ushtrime fizike dhe pa shumë ngarkesë. Këto të fundit do të vijnë në fazën përgatitore, të cilën Tirana pritet ta zhvillojë në Austri, aty ku mund të luajë disa miqësore luksi me skuadra të tilla si anglezët e Fulhamit, apo edhe gjermanët e Këlnit e Paderbornit. Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë marrë tashmë edhe ofertat për qëndrimin në atë vend. Madje, konfirmohet edhe fakti se janë shkëmbyer emaile me klubet e mësipërme, të cilat kanë rënë dakord për ndeshje miqësore, nëse Tirana do të shkojë në Austri.

Braziliani, mes Kukësit e Skënderbeut
Pas çdo ecejake në merkato, ka gjithnjë një prapaskenë. Kështu ndodh edhe me brazilianin Gilberto. Ky i fundit ishte gati që të vinte te Tirana, por sa hap e mbyll sytë rriti kërkesën financiare. Arsyeja qëndron në faktin se “në valle” për të kanë hyrë Skënderbeu dhe Kukësi. Korçarët nuk janë ende të qetë në repartin e sulmit, duke qenë se nga skuadra u largua Pejiç (pavarësisht se erdhi Sefa) dhe tanimë po shikojnë mundësinë e afrimit të Gilbertos, natyrisht duke i dhënë shifrën prej 95 mijë dollarë (kujtojmë që vjet paguanin 75 mijë euro Pejiçin, pra pak më shumë se shifra që kërkon braziliani). Ndërkohë, në garë mund të futet edhe Kukësi, kjo vetëm nëse trajneri Agim Canaj nuk do të bindet plotësisht për cilësitë e sulmuesit Ivan Periç, i cili mund të largohet ende pa filluar sezoni nga kjo skuadër.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"