Drejtuesit shkojnë në FSHF, te Dinamo kërkojnë… drejtësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 14:37

Drejtuesit shkojnë në FSHF, te Dinamo kërkojnë… drejtësi

Dinamo ka prekur fundin. Vetëm një pikë e marrë pas 6 javësh të luajtura janë kthyer në shqetësim më vete. Rreziku që u kanoset është i madh. Edhe pse problemet e brendshme janë të mëdha, të paktën presin drejtësi. Që pas asaj humbjeje që pësuan përballë Korabin, nuk kanë munguar deklaratat kundër arbitrimit.

Dinamo

Janë në shënjestër direkt Bekris Dragusha e Melis Dervishi për atë penallti të dhënë në shtesë në favor te kundërshtarit. Jo vetëm që e quajnë të paqenë, por ankohen se u akordua pasi kishte mbaruar edhe koha e rregullt. Blutë ndihen të masakruar, ndaj edhe nuk kanë qëndruar duarkryq.

Drejtuesit e rinj kanë shkuar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kanë kërkuar sqarime për rastin në fjalë. Presin garanci nga institucioni më i lartë për futbollin në vend për një garë të pastër. Dhe që Dinamo të mos të dëmtohet nga faktorë të jashtëm, kanë menduar një zgjidhje. Duke filluar nga Kastrioti, presin që të gjykohen prej arbitrave të afirmuar.

Klubi ka evidentuar se nuk është hera e parë që e pësojnë nga “xhaketat e zeza”. Kohë më parë ka qenë edhe ish-trajneri Allmuça që ka shprehur me të madhe rezerva për arbitrimin. Gjithashtu, ata kanë kërkuar edhe kamera shtesë në ndeshjet e tyre, pra që ndeshjet e Dinamos të jenë të monitoruara shumë mirë. Drejtuesit e federatës kanë dhënë garanci që ndeshjet e bluve do të kenë trajtim të barabartë.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"