Drejtuesit “fërkojnë duart”/ Leo Mesi, si një “magnet” sponsorësh për PSG-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 17:41

Drejtuesit “fërkojnë duart”/ Leo Mesi, si një “magnet” sponsorësh për PSG-në

Paris SG-ja po bën “luftë” të ashpër me veten dhe me Realin për të mbajtur në ekip yllin e saj Kilië Mbape. Prej muajsh në kryeqytetin francez diskutohet për të ardhmen e sulmuesit kampion bote. Por në fakt, miniera e arit për PSG-në dhe bosin e saj është Lionel Mesi.

Mesi psg fanellat

I transferuar në Paris rreth pesë muaj më parë kur vendosi të linte Barcelonën, ai është kthyer në një magnet komercial për klubin francez. Siç raportojnë mediat në Francë, ka mjaftuar një kohë mjaft e shkurtër, që argjentinasi të sjellë në Paris 8 sponsorë të rinj, ndërkohë që ka siguruar edhe besnikërinë e gjigantëve të tillë si “Nike” apo “Coca Cola”. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” është pa dyshim reklamuesi më i madh për firmat kryesore.

“Rritja e të ardhurave do të jetë domethënëse në vitin 2022”, ka thënë Mark Armstrong, drejtor i marketingut të PSG-së. Siç ka bërë me dije një studim i udhëhequr nga Vinsent Shodel, PSG-ja ka fituar të paktën 15 milionë ndjekës në rrjetet sociale që nga momenti kur Lionel Mesi firmosi me klubin francez gushtin e vitit të kaluar. Argjentinasi përbën pa dyshim një vlerë të shtuar brenda në fushë dhe jashtë saj për klubin e kryeqytetit francez.

Prania e Leo Mesit ka shtuar edhe më shumë të ardhurat komerciale nëpërmjet të drejtës televizive. Por në të njëjtën kohë transferimi i Leo Mesit në Francë i ka bërë mirë dhe vetë ligës franceze. Me sa duket, Naser Al Kelaifi, bosi i PSG-së, e ka gjetur “imamin” e tij dhe ai është Leo Mesi. Për të treguar peshën e Leo Mesit mes tifozëve të PSG-së, mjafton një fakt i thjeshtë.

Vetëm argjentinasi ka shitur deri më tani plot 1 milion fanella, duke tejkaluar numrin e fanellave të shituara nga Mbape dhe Nejmar në momentin e firmosjes me PSG-në katër sezone më parë. Praktikisht, Leo Mesi ka paguar veten e tij në Paris dhe jo vetëm, duke i dhënë edhe më shumë vlerë klubit francez. Falë argjentinasit, PSG-ja ka shënuar një rritje në marketing me 30% deri në 40% më shumë në këtë sezon në krahasim me sezonet e kaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"