Drejtuesit e rinj në Itali, situata mbetet pezull te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2019 | 12:19

Drejtuesit e rinj në Itali, situata mbetet pezull te Dinamo

Dinamo, në krizë të thellë rezultatesh, po përgatitet për ndeshjen e radhës kundër Korabit në transfertë. Blutë dëshirojnë me çdo kusht të marrin rezultat pozitiv për t’iu larguar fundit të tabelës së klasifikimit.

dinamo dd

Trajneri Mauro Manzoni ka punuar intensivisht me skuadrën, ndërsa lajmi i mirë për të është rikthimi i kapitenit Erxhan Muça dhe i qendërmbrojtësit tjetër Xhorxhian Boçi. Ekipi është i kompletuar për sa i përket organikës për ndeshjen e radhës, ku duhet të bëjë diçka më shumë për të marrë pikë.

SITUATA PEZULL 

Sakaq, drejtuesit e rinj të Dinamos kanë udhëtuar drejt Italisë për çështje procedurash dhe dokumentesh. Kjo ka bërë që situata të mbetet pezull për momentin dhe të mos bëhet rishikimi i kontratave të futbollistëve, siç u premtua javën e kaluar. Pritet që shumë shpejt drejtuesi Marko Pontreli të rikthehet në Tiranë dhe të vijojnë procedurat e kalimit të pronësisë së klubit te kompania që ai përfaqëson në projektin e ringritjes së Dinamos.

Dinamo

Administratori Ismet Saliaj nuk ka qenë i disponueshëm për shkaqe familjare dhe kjo është një tjetër arsye që e ka lënë situatën në vendnumëro. Gazeta mëson se brenda kësaj jave ose maksimumi deri në fillim të javës se ardhshme, gjithçka do të marrë formë zyrtare, sepse shpresohet shumë se do të jenë mbyllur të gjitha procedurat juridike për marrëveshjen midis palëve. Nga drejtuesit e rinj është dhënë garanci se mbyllja e marrëveshjes është vetëm çështje ditësh. Shoqëria italiane ka premtuar se do ta ringrejë Dinamon në rangjet më të larta, pasi ka një projekt konkret, ku bashkëpunëtorë janë edhe biznesmenë shqiptarë, emrat e të cilëve mbeten për t’u zbuluar. Për futbollistët pritet që të bëhen kontrata të reja, ndërsa në merkaton e janarit Dinamo do të përforcohet me futbollistë cilësorë. Stafi i ri teknik i bluve nuk mundi ta ndryshonte situatën. Dinamo u mund javën e fundit nga Erzeni në Pezë-Helmës, por me rikthimin e Muçës dhe Boçit pritet që skuadra të reagojë ndaj Korabit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"