Drejtuesit dhe lojtarët, Barcelona po jeton një histori… urrejtjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 30, 2020 | 19:11


Drejtuesit dhe lojtarët, Barcelona po jeton një histori… urrejtjeje

Lionel Mesi ka përfituar nga arritja e marrëveshjes për uljen e pagës për t’i dhënë një tjetër goditje nën brez drejtuesve të Barcelonës, diçka që te Barcelona këtë herë nuk ka ndodhur vetëm një herë në këtë sezon. Në deklaratën e tij për mediat, kapiteni i Barcelonës tha se disa njerëz (i referohej presidentit Bartomeu) po bënin presion prej kohësh që skuadra të ulte rrogat. Leo tha se kjo gjë do të bëhej, por kërkonte pak kohë që të arrihej marrëveshja me të gjithë.

Spanja

Para fillimit të sezonit- Kritikat e para në këtë sezon filluan përpara nisjes së sezonit. Lojtarët dhe stafi teknik nuk ishin dakord për planifikimi që kishin bërë drejtuesit. “Nuk jemi dakord me këtë lloj faze përgatitore që do të bëjmë. Do të vijmë në ndeshjen kundër Bilbaos me probleme dhe e dimë se ata mund të jenë më të fortë”, tha Valverde në atë kohë. Për të njëjtin rast ka folur edhe Pike.

“Nuk është e lehtë të përgatitesh në këto kushte, sepse ne kishim shumë udhëtime dhe pak stërvitje”, tha mbrojtësi. Edhe Alenja nuk i mbajti dot kritikat pasi drejtuesit vendosën që t’i hiqnin numrin e fanellës. “Do të më pëlqente një mesazh nga drejtuesit sepse ia premtuan fanellën De Jongut pa më njoftuar më parë. Ai ishte i përulur dhe ma kërkoi numrin, por jo drejtuesit”, tha mesfushori.

Vidal i papaguar- Përpara se të përfundonte viti kalendarik, Arturo Vidal denoncoi Barcelonën për një çështje ekonomike. U tha se pas atyre lajmeve fshihej Interi që kërkonte kilianin, por në të vërtetë ajo çështje u zgjidh dhe palët vazhduan bashkëpunimin”.

Sherri Mesi-Abidal- Kriza i arriti majat kur Barcelona u eliminua nga Superkupa e Spanjës dhe u shkarkua trajneri Valverde. Abidal si drejtor sportiv shpjegoi këtë situatë duke thënë se isa lojtarë nuk ishin të kënaqur me trajnerin dhe nuk punonin shumë. Por kjo gjë nuk i pëlqeu aspak Leo Mesit, i cili shpërtheu në kritika. “Drejtuesit e Barcelonës duhet të marrin përgjegjësitë për gjithçka që bëjnë.

Abidal kur flet për lojtarët duhet ta bëjë me emra sepse kështu na përfshin të gjithë”, tha kapiteni. Pike gjithashtu sulmoi drejtuesit pas eliminimit nga Kupa e Mbretit duke thënë se nëpër media shkruhet kundër lojtarëve që të krijojnë presion dhe këto raportime janë të financuara nga drejtuesit.

Rinovimi i Rakitiçit- Pas ndeshjes me Levanten, Ivan Rakitiç shpërtheu në kritika ndaj drejtuesve. “Gjatë verës ndodhën shumë gjëra që nuk më pëlqyen dhe këtë e them me bindje. Këto gjëra i di unë dhe ata që marrin vendime, por tani është koha për të parë përpara. Në fund do të marr vendimin që është më i miri për të gjithë”, tha kroati.

Skuadër pa alternativa- Pikërisht mesfushori kroat shprehu kritikat ndaj drejtuesve për faktin që ekipi nuk ka shumë lojtarë. “Nuk kemi alternativa dhe drejtuesit e dinë këtë. Duhet të merrnin masat”, tha Rakitiç. Një linjë të tillë mendimi kishte edhe Serxho Buskets, i cili gjithashtu tha se ekipi nuk ka shumë lojtarë dhe ata që e bënë planin duhet ta dinin që situata do të vështirësohej.

Rrjetet sociale- Nuk kishin fund polemikat në skuadrën e Barcelonës. Mediat zbuluan një skandal ku presidenti Bartomeu ka paguar një kompani 1 milion euro për të sponsorizuar postime kundër lojtarëve dhe ish-lojtarëve të Barcelonës. Pati një takim mes tij dhe kapitenëve për të shuar zjarrin.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com