Drejtori i Tiranës: Kemi probleme në mbrojtje, 2 pikët në Vlorë do t’i vuajmë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 22, 2019 | 19:48

Kategoria Superiore Të fundit Tirana

Drejtori i Tiranës: Kemi probleme në mbrojtje, 2 pikët në Vlorë do t’i vuajmë

Tirana është skuadra me sulmin më të mirë deri tani, me 14 gola të shënuar, por tetë të pësuarit kanë sjellë jo pak probleme për skuadrën.

Arbi Laci

Gabime individuale, shpesh edhe nga ata me më shumë eksperiencë e kanë penalizuar ekipin si ndaj Kukësit, ashtu edhe në barazimin në Vlorë. Këtë shqetësim e ka përmendur edhe drejtori i Tiranës, Arbi Laçi, në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”.

Sipas drejtorit të bardhebluve, skuadra ka cilësi për ta riparuar edhe këtë defekt që është shfaqur deri më tani. “Një aspekt që na mungon, është përjetimi i brendshëm i mungesës së rezultateve. Fituam ndaj Laçit dhe kemi marrë 3 pikë të rëndësishme për të na kthyer qetësinë. Deri më tani, jemi në disavantazh me Partizanin dhe Kukësin që na kanë mundur në përballjet e para. Me 3-pikëshin e marrë, arritëm që të rikthejmë qetësinë, por rrezikuam pak dhe e përjetuam me ankth, edhe prej asaj që na ndodhi me Flamurtarin, pasi na ndodhi ai barazim në minutën e 90+2-të. Ndaj Laçit morëm atë që donim. Nga java në javë, të marrësh pikët maksimale është gjëja më e rëndësishme duke gabuar sa më pak dhe më tej, pasi e bën këtë, të presësh që kundërshtarët të ndalen në fusha të ndryshme. Unë mendoj se në dhjetor do të shihen edhe se cilat do të jenë ekipet pretendente për titullin”, ka deklaruar fillimisht Laçi.

“Flamurtari? Ia kam përmendur skuadrës që dy pikët e lëna në Vlorë do të jenë një nga gabimet më të mëdha të këtij sezoni dhe do t’i vuajmë. Ajo është një skuadër e rrezikuar dhe deri më tani, e projektuar për të rënë, pavarësisht se është emër i madh. Realisht, ne lamë dy pikë në atë ndeshje. Tani duhet të mësohemi me gabimet që të mos i përsërisim. Mbrojtja? Ne shënojmë shumë dhe duhet të korrigjojmë diçka në prapavijë. Statistikat e tregojnë se kemi probleme aty. Ndoshta duhet më shumë kujdes në prapavijë, edhe sikur të shënojmë më pak. Nëse e bëjmë, mund të arrijmë aty ku duhet dhe besoj se gjërat do të bëhen, pasi ka cilësi dhe karakter në skuadër”, ka deklaruar Arbi Laçi, drejtori i Tiranës.

PANORAMASPORT.AL



www.minuta90.com