Drejtori i ri sportiv i Dinamos, prezantohet Laçi: Sfidë e bukur në një projekt fitues!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 9:52

Drejtori i ri sportiv i Dinamos, prezantohet Laçi: Sfidë e bukur në një projekt fitues!

Ka bërë prezantimin dje në mesditë drejtori sportiv i Dinamos, Arbi Laçi. Roli i drejtorit sportiv të Dinamos, sipas administratorit Ilir Sinani, i cili ka bërë edhe prezantimin e Laçit, deri tani ishte i bashkuar me atë të trajnerit të skuadrës së parë, Bledi Shkëmbi.

ARBI LACI

Gjatë prezantimit Laçi theksoi se pranoi me kënaqësi të bëhet pjesë e një projekti fitues që sapo ka nisur të zbatohet dhe e konsideroi një sfidë të bukur detyrën që ka marrë përsipër.

“Është privilegj, kënaqësi dhe sfidë për mua kjo detyrë. Falënderoj presidentin për besimin dhe jam koshient për vështirësitë që do të kem.

Dua ta ndihmoj klubin me mundësitë e mia dhe në hapësirën time. Jam në një klub të madh, ku kemi punë për të bërë.

E komplimentoj klubin për aq sa ka bërë në strat, pasi ky projekt ka nisur pothuajse nga asgjëja. Qëllimi është që ta bëjmë Dinamon të jetë në krye të elitës së futbollit shqiptar, por kjo nuk bëhet në një moment, kërkon kohë dhe durim.

Kam kuptuar që jam bërë pjesë e një projekti fitues, por tani duhet që të jemi me kokën ulur dhe të punojmë të gjithë bashkë për të fituar gjithçka, që nga U-7-ta e deri tek ekipi i parë.

Nuk më tremb asgjë, kam besim te klubi dhe ajo fanellë që futbollistët mbajnë veshur. Projekti është afatgjatë dhe them me bindje se Dinamo nuk do të jetë në vend të 7-të. Do të jemi atje ku na takon dhe ku na ka hije.

Duke parë si gjërat do të ecin në vazhdimësi, do të bëjmë kalkulimet tona. Duhet të vrapojmë, sepse kohën nuk e kemi aleat, por kundërshtar. Duhet të punojmë jo vetëm për t’i kapur kundërshtarët, por edhe për t’i kaluar”, tha mes të tjerash Laçi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"