Drejtori i Kombëtareve: Përfaqësuesja A do të ketë më shumë lojtarë nga kampionati, ja cilët na kanë refuzuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 12:07

Drejtori i Kombëtareve: Përfaqësuesja A do të ketë më shumë lojtarë nga kampionati, ja cilët na kanë refuzuar

Xhemal Mustedanagiç është i qartë për strategjinë që do të ndjekë si drejtor i ekipeve Kombëtare në dy vitet e ardhshme. Trajneri boshnjak do të jetë në krye të ekipit U-17 edhe në eliminatoret e radhës, që do të zhvillohen në datat 23-29 tetor në Shqipëri, e më pas do të përkushtohet tërësisht në atë që ai e quan sfidë personale. Dje nga salla e konferencave shpalli listën e lojtarëve, mes tyre edhe emra që bëjnë pjesë në akademitë e Totenhemit apo klubeve të Serisë A si Bolonja dhe Sampdoria. “Shpresoj që pas këtij turneu të jemi të gëzuar dhe të festojmë kualifikimin.

44106290_1301217370018914_7275833234041077760_n

Kemi një grup të vështirë me skuadra si Çekia, Norvegjia dhe Azerbajxhani. Uroj që këtë herë të kemi fat, pasi në eliminatoret e kaluara nuk e kemi pasur në krahun tonë. Pa diskutim që Çekia është ekipi më i fortë dhe favorit i grupit tonë. Ne shpresojmë që të marrim minimalisht një barazim ndaj tyre dhe ndoshta me Norvegjinë, e më pas të fitojmë me Azerbajxhanin, duke u kualifikuar për më tej”, ka thënë fillimisht Mustedanagiç.

Do të drejtoni për herë të fundit Kombëtaren U-17, a ka diçka që ju shqetëson në prag të eliminatoreve?

Ndoshta për mua nuk do të jetë hera e fundit që drejtoj U17, pasi në rast kualifikimi, do të vazhdoj të jem sërish në këtë detyrë (qesh). Problemi ynë për momentin është qendra e sulmit, por kemi menduar që ta zgjidhim me Erion Sadikun, një lojtar që luan në Suedi. Mirëpo, edhe ai ende nuk e ka plotësuar dokumentacionin e duhur dhe s’do ta kemi në këto eliminatore. Kemi afruar së fundi një sulmues shqiptar që është pjesë e Totenhemit në Angli, Albert Raçi, i cili është datëlindja 2003. Unë mendoj që kemi të bëjmë me një talent dhe prandaj e kam ftuar, që ta shikoj nga afër, edhe pse është një vit më i vogël se lojtarët e tjerë. Do të ftoj edhe lojtarë nga kampionati shqiptar për t’i vëzhguar, si Dashin e Teutës dhe Tunin e Shkëndijës së Tiranës.

Duke parë edhe rezultatet e ndeshjeve të fundit të U-19, U-21, por edhe Kombëtares A, mendoni se kemi bërë regres apo progres?

Nuk mund të them që kemi bërë progres, sepse jemi në të njëjtin nivel ku kemi qenë edhe më parë. Megjithatë, Kombëtarja U-19 ka edhe një ndeshje, kështu që duhet të presim, pasi shanset ekzistojnë. Detyra e re që kam marrë është një sfidë dhe mund t’u them se unë tashmë po e vëzhgoj situatën. Mendoj se kemi talente dhe do të vijmë duke u përmirësuar në të gjitha ekipet.

Është momenti për një revolucion në ekipet Kombëtare, a keni një plan konkret?

Kam shumë ide dhe plane në kokë, por nuk mendoj të bëjmë një revolucion total. Hap pas hapi do të bëjmë diçka të mirë, sepse unë jam i bindur që Shqipëria ka potencial. Unë si drejtor teknik do të bëj gjithçka është e mundur për të arritur atë qëllim që kemi, sepse gjithmonë besoj te kualiteti që ka Shqipëria. I qëndroj kësaj që po them, por në futboll nuk vjen çdo gjë për një natë. Çdo gjë që zgjat do kohën dhe sistemin e vetë.

Në Kombëtaren shqiptare do të luajnë më të talentuarit. Po ju zbuloj se që nga ky moment e tutje, të gjithë trajnerët e Kombëtareve do të jenë të pranishëm në seleksionimet që do të bëhen. Duke punuar edhe gabon, kështu që me të gjithë trajnerët e pranishëm, mundësinë e gabimit në përzgjedhje do ta zvogëlojmë shumë.

Më konkretisht, çfarë premtoni se do të ketë ndryshe?

Ju garantoj se në dy vitet e ardhshme do të shikoni një ecuri pozitive dhe përparim të ekipeve kombëtare. Përveç punës, për të dërguar sa më shumë lojtarë në ekipin A, qëllimi im është që të zhvillojmë sa më tepër futbollin brenda vendit. Pra, do të punoj shumë që në vitet e ardhshme të ketë në Kombëtare më tepër lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar. Nga klubet e huaja do të vijnë vetëm ata top-talentet që bëjnë diferencën, pra lojtarë që do të kenë një nivel shumë më të lartë se ata që luajnë në Superiore. Nëse diferenca mes lojtarëve që luajnë në Shqipëri dhe atyre që aktivizohen jashtë është diku te 15%, ne do të preferojmë ata që luajnë në kampionatin tonë. Do të punojmë më tepër me ata, në mënyrë që të kapin atë 15%. Synimi im është që të seleksionojmë sa më mirë, që lojtarët e talentuar të shkojnë sa më shpejt te Kombëtarja A. Do të organizojmë një herë në javë ndeshje me lojtarët e Kombëtareve që luajnë në Shqipëri.

Çfarë përshtypje ju la Kombëtarja e drejtuar nga Panuçi në ndeshjet e Ligës së Kombeve…?

Nëse i referohemi ndeshjes së fundit në Izrael, unë mendoj se luajtëm mirë, por na mungoi fati. Balaj kishte disa mundësi për gol, por nuk shënoi. Më mirë për këtë mund të përgjigjet zoti Panuçi, që ka qëllimet e veta. Ndoshta në miqësoren me Jordaninë ka dashur të provojë sa më tepër lojtarë, që të ketë një bindje. Nuk duhet të harrojmë se ndaj Izraelit munguan lojtarë si Roshi dhe Cikalleshi, që për Kombëtaren janë mungesa të mëdha.

Sa e keni ndierë rivalitetin me Kosovën për talentet?

Normalisht, janë pakësuar lojtarët që vijnë nga Kosova në ekipet tona Kombëtare. Është krejt normale, pasi Kosova është njëlloj si Shqipëria dhe lojtarët kanë mundësi zgjedhjeje. Mirëpo, ne do të luftojmë për çdo lojtar që ka dëshirë të veshë fanellën kuqezi.

Çfarë po ndodh me kapitenin e Kombëtares U-21 të Kosovës, Ardian Ismajli. A është e interesuar Shqipëria që ta ftojë?

Siç e thashë edhe më lart, do të luftojmë për të gjithë lojtarët që kanë dëshirë të luajnë me ne dhe e meritojnë të veshin fanellën. Por, shpesh prindërit dhe agjentët e lojtarëve po luajnë me dy porta. Do të tregohemi të kujdesshëm në vazhdimësi. Kur Kosova nuk ka qenë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, shumë prej lojtarëve i kam lutur, duke u thënë që të vijnë të shikojnë një herë kushtet ku punojmë, e më pas të zgjedhin. Por, në fund të fundit nuk mund t’u imponojmë zgjedhjet, pasi ata janë nga Kosova. Nuk kam dëshirë të flas për emra të caktuar. Ata që duan të vijnë, dyert i kanë të hapura.

Çfarë ofron Shqipëria më tepër se Kosova?

Nga koha kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri me të ndjerin Josip Kuzhe dhe deri më tani, ju them me bindje se kushtet e stërvitjes, akomodimit etj., për të gjitha kombëtaret janë si dita me natën. Është bërë një revolucion në këtë drejtim nga presidenti Duka. Stadiumin që po ndërtohet në të dikurshmin “Qemal Stafa”, ua kam dërguar si foto miqve të mi në federatën kroate, duke u thënë se ju dolët të dytët në botë dhe nuk keni një stadium kombëtar.

Kush nga lojtarët që keni kërkuar në këtë periudhë ju ka refuzuar dhe ka zgjedhur një Kombëtare tjetër?

Kjo na ndodhi me Fisnik Asllanin, që e kishim grumbulluar herën e kaluar. E vendosëm në listë dhe agjenti i tij e përdori këtë fakt si marketing, e më pas e çoi te Kosova. Gjithashtu, Angjelos Muka që luan tek Olimpiakosi, e kemi ftuar disa herë, por ai ka vendosur përfundimisht të luajë për Greqinë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"