Drejtori Hasani i përgjigjet Likës: Jeni turpi i Vllaznisë, spiunë që morën miliona e rrëzuan ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2018 | 20:05

Drejtori Hasani i përgjigjet Likës: Jeni turpi i Vllaznisë, spiunë që morën miliona e rrëzuan ekipin

Te Vllaznia ende nuk ka asnjë lëvizje. Në klub, me sa duket, po punohet, por gjithçka bëhet në mënyrë hermetike. Drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, Alban Hasani, kërkon që drejtuesit e klubit të kenë nxjerrë mësime pas kësaj rënie nga kategoria. “Ata duhet që të kenë krijuar bindjen tashmë se kush duhet të jetë pjesë e këtij klubi për ta udhëhequr atë drejt ringritjes në Superiore. Specialistët që tani flasin dhe kërkojnë që të jenë në krye të pankinës, duhej që të kishin folur më parë”, thotë ndër të tjera Hasani në intervistën e tij. Ndërsa kritika të forta ka lëshuar në drejtim të lojtarëve, sidomos atyre titullarë. Gjithashtu, komenton edhe ato që ka thënë kapiteni, Gilman Lika.

alban hasani

Hasani, si po e ndiqni këtë situatë aktuale te Vllaznia?

Të jem i sinqertë, nuk po merret vesh asgjë. Po punohet thuhet, por me sa duket po punohet në mënyrë hermetike. Shpresoj që data 26 e këtij muaji, siç edhe flitet, të jetë data kur gjërat do të fillojnë të marrin rrugë. Çdo ditë e vonuar është në dëm të klubit dhe ekipit.

Po përflitet shumë tashmë për ta ribërë ekipin. Vllaznisë po i vetofrohen shumë trajnerë për ta drejtuar. Cili është mendimi juaj?

Jam i mendimit se është koha që ekipi të mos i besohet çdokujt që e kërkon. Mendoj se kryebashkiakja Voltana Ademi të ketë nxjerrë mësimet e duhura dhe të dijë kujt duhet t’i besojë dhe kujt jo. Tani specialistët e kanë kollaj të flasin, por tani është vonë. Kryebashkiakja duhet t’i hapë sytë dhe të bëjë zgjedhjet e duhura dhe jo të atyre që flasin bukur. Këta trajnerë që kërkojnë që të marrin Vllazninë tani, pasi e dinë që sërish klubi do të drejtohet nga bashkia, më duken tamam si ata personat që shqyen tortën e Pavarësisë. Të gjithë, me sa duket, kërkojnë që të marrin sërish nga një copë nga “torta Vllazni”.

Keni qenë përherë kritik ndaj lojtarëve dhe vijoni të jeni i tillë, pse?

Normalisht, ata nuk e kanë pasur mendjen te ndeshjet, por që të bënin klane në ekip. Nuk ka pasur ndonjëherë Vllaznia lojtarë me më pak gjak e më me pak sedër sesa këta që janë. Futbollistët e “mëdhenj” duhet ta lënë futbollin siç e kanë lënë me nder Sinani, Martini, Osja e shumë të tjerë në kulmin e tyre. Dhe jo të marrin miliona dhe të bëjnë edhe spiunin sa në një makinë te tjera. Paradite tek administratori dhe mbasdite te makina e trajnerit. Kjo ishte “buka e turpit” që ka për t’i ndjekur ata brez pas brezi. Një njollë që nuk ua heq kush. Ata tani dalin e bëjnë presion nëpër gazeta se po i kërkojnë ekipet e tjera. Por, të jeni të bindur se as Veleçiku nuk i merr më. Ata duhet që të kishin marrë shembull si luhet futbolli në Shkodër për fanellë pa para edhe nga Vllaznia B. Më vjen keq për Pjeshkën, Gurishtën, Kalanë, Bardullën, Markun e ndonjë tjetër që iu është ngrënë haku nga këta “mjeshtrit” e Vllaznisë. Kudo që kanë qenë këto vitet e fundit, kanë qëndruar vetëm rezervë. E po ashtu kanë hedhur ekipet në Kategorinë e Parë.

Ju jeni i mendimit që Vllazninë e rrëzuan edhe të tjerë persona nga jashtë?

Ata duhet që t’i lënë alibitë dhe u them se “o burra, në paçi pak respekt për vete, kërkojini falje këtij qyteti”. Ata që e dinë, duhet të dalin me emra se kush e ka rrëzuar Vllazninë. Kush janë të fortët e Shkodrës që i thanë të pësonin golin në minutën e 95-të në Vlorë?! Kush janë të fortët që i thanë të mundeshin nga Luftëtari në Shkodër apo të mos mundnin dot Kamzën?! Po mund të them se shumë lojtarë aty i kanë futur në fushë të fortët e Shkodrës që t’ua dyfishonin rrogat.

Jeni për një trajner shkodran apo edhe jashtë Shkodrës dhe, për mënyrën e funksionimit të ekipit, besoni te të rinjtë apo duhet gërshetim?

Për mendimin tim, Vllaznia këtë sezon i duhet besuar trajnerit në detyrë Elvis Kraja. Kam respekt për të gjithë, për Martinin dhe të gjithë shkodranët e tjerë, por them se i takon Vis Krajës të drejtojë ekipin sepse, kur të gjithë mbyllën telefonat, këta specialistët “e mëdhenj”, vetëm ai i doli për zot dhe i dha shpresë qytetit. Ndërsa jam i mendimit se ekipi nuk mund të bëhet vetëm me të rinj. Duhet një gërshetim i brezave. Lojtarët që janë, duke filluar nga Sherri, Gocaj, Gurishta, Pjeshka, Bardulla, Marku, Pusi, por edhe lojtarët e Vllaznisë B, që nga Isufi me shokë e të tjerë, duhet që të merren. Por, gjithmonë lojtarët shkodranë duke u bashkangjitur edhe të rinj mund të bëjnë realitet që kjo skuadër të ringrihet pas këtij sezoni. Mund të them se drejtuesit e rinj të klubit duhet që të shikojnë edhe mundësinë që të firmosin në kontratë dhe dy lojtarë të tjerë të rinj me mjaft perspektivë si Gruda e Fikaj.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"