Drejtori Dadaj: Luftëtari ia del, s’mund të na paragjykojnë, nuk kemi kapitulluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 11:58

Drejtori Dadaj: Luftëtari ia del, s’mund të na paragjykojnë, nuk kemi kapitulluar

Te Luftëtari besojnë se problematikat që kanë shoqëruar klubin do të vijnë duke u minimizuar dhe skuadra do të shpëtojë sezonin. Vetë drejtori Artur Dadaj, në një bisedë për “Panorama Sport” shprehet optimist për vazhdimësinë, ndërsa thekson se gjyqet e humbura së fundmi do të apelohen. 

artur dadaj

Ai sqaroi edhe përpjekjet që po bëhen për të gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin brazilian, Marko Aurelio, në mënyrë që penalizimi i FIFA-s të hiqet dhe Luftëtari të regjistrojë lojtarë në merkaton e janarit. “Është një problem që është krijuar nga administrata e mëparshme e klubit. Kemi hyrë në negociata me zyrën juridike që përfaqëson lojtarin brazilian dhe besoj se me 99 %, marrëveshja do të realizohet. Në rast se nuk do të realizohet, atëherë do të vazhdojmë me lojtarët që kemi”, theksoi Dadaj, ndërsa foli edhe për gjyqin e humbur pjesërisht me ish-trajnerin Julian Ahmataj.

julian-ahmataj-770x470

“Kemi të drejtën e apelimit në gjykatë për Ahmatajn. Askush s’ka të drejtë të paragjykojë dhe të mendojë se Luftëtari ka kapitulluar. Si skuadër kemi objektiv qëndrimin në Superiore, mision të cilin nuk do ta vëmë në diskutim. As që e mendojmë se do të zbresim nga kategoria. Sigurisht, kemi pasur ato pengesat tona, pasi kemi filluar me vonesë organizimin në verën e vitit të kaluar, por me kohën që na u dha tashmë, besoj se me disa afrime që kemi bërë, Gjirokastra do të jetë sërish në elitë. Kemi një grup lojtarësh të rinj që na japin shpresë”, përfundoi Dadaj. Ndërkohë, nën drejtimin e dyshes Çoçlli-Novi, skuadra vijon normalisht përgatitjet në kuadër të ndeshjes së javës së 18-të me Kukësin, e cila do të luhet të mërkurën në Gjirokastër. Mungesë e sigurt për shkak kartonësh është ajo e mbrojtësit Demo.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"