Drejtor dhe lojtar, ish-sulmuesi i Partizanit do të rikthehet te Flamurtari me post të rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2021 | 14:39

Drejtor dhe lojtar, ish-sulmuesi i Partizanit do të rikthehet te Flamurtari me post të rëndësishëm

Xhevahir Sukaj do të rikthehet në Vlorë. “Panorama Sport” mëson se gjatë kësaj jave, administratori ka zhvilluar një takim me shkodranin. Sulmuesi ka ndjekur madje nga afër edhe një seancë stërvitore të ekipit dhe është çështje ditësh që të bëhet zyrtarisht pjesë e projektit të Flamurtarit.

Sukaj

Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për gazetën se Sinan Idrizi i ka kërkuar që të vijë me çdo kusht te kuqezinjtë. Dy kanë qenë propozimet që i ka bërë 33- vjeçarit. E para, të rikthehet në fushë dhe të ndihmojë ekipin me eksperiencën që ka, çka do të thotë që të bëjë atë që di të bëjë më mirë, duke i shërbyer skuadrës si sulmues.

Por, ka edhe një propozim të dytë. Idrizi i ka ofruar Xhevahir Sukajt postin e drejtorit sportiv. Mësohet se shkodrani i ka kthyer përgjigje pozitive, teksa duket se e ka pranuar ofertën e tij për të qenë pjesë e Flamurtarit si lojtar, por edhe për të mbajtur një post drejtues pranë klubit.

Mund të themi se punën e ka nisur me kohë, pasi shkodranët që tashmë i janë bashkuar skuadrës, Olsi Gocaj, Behar Ramadani e Denis Pjeshka, i ka bindur pikërisht ai. Eksperienca që Sukaj ka në shumë ekipe, brenda dhe jashtë vendit, do ta ndihmojë shumë Flamurtarin për ringritjen. Që kur u largua nga Vlora prej më shumë se një viti, shkodrani ka qenë pa ekip.

STAFI

Dritan Resuli është trajneri i Flamurtarit. Pavarësisht se nuk është zyrtarizuar, nuk ka asnjë dyshim për këtë gjë. Ishte vetë administratori që e konfirmoi në numrin e një dite më parë për gazetën. Tekniku ka nisur punën me skuadrën, teksa çdo ditë e drejton në stërvitje.

Tani ka edhe një ndihmës. Renald Muka do të jetë zv.trajneri i vlonjatëve, një zgjedhje e bërë nga vetë trajneri. Ndërkaq, pritet që në ditët në vijim stafit ti bashkohet edhe një përgatitës atletik, ndërsa në drejtimin e klubit nuk ka ndryshime.

Ardi Ciruna do të vijojë të jetë drejtor në klubin vlonjat, teksa ka marrë tashmë edhe besimin e administratorit Sinan Idrizi.

MERKATO

Flamurtari, në pritje të dy brazilianëve. Javën që vjen pritet që të mbërrijë në Vlorë Odaildo Souza de Oliveira, por bashkë me Oliveirën mund të vijë edhe një tjetër brazilian.

Për të nuk ka shumë informacion nga klubi pasi kërkojnë ta lënë surprizë, ndërsa thuhet vetëm se është i talentuar dhe ka moshë të re. Me afrimin e brazilianëve si dhe me Ditmar Bicajn, Lejdi Liçajn, Behar Ramadanin dhe Denis Pjeshkën, Andi Ribajn, Shpëtim Moçkën si dhe grupin e lojtarëve vlonjatë, duket se kuqezinjtë janë një skuadër e plotësuar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"